Tahiri: Serbia detyrimisht do ta lirojë Thaçin

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se Serbia detyrimisht do ta lirojë drejtorin Rajonal të Policisë së Kosovës Nehat Thaçin, të arrestuar ditë më parë nën dyshimet për “Terrorizëm”.
Këto komente Tahiri i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se Serbia po i shkel konventat ndërkombëtare duke tentuar që ta shtrijë juridiksionin edhe në Kosovë. “Juridiksioni i Serbisë është i vlefshëm vetëm brenda kufijve të saj, prandaj detyrimisht do ta lirojë Nehat Thaçin”, ka shtuar Tahiri. Megjithatë, sipas saj, nëse shteti fqinj do të vazhdojë të kryejë arrestime të ngjashme, atëherë në mënyrë reciproke do t’i përgjigjet edhe pala kosovare.

Zëri: A jeni në kontakt me zyrtarët e BE-së për lirimin e policit Nehat Thaçi dhe cilat janë zhvillimet e fundit rreth këtij rasti?

Tahiri: Sa kemi qenë në bisedime javën e kaluar në Bruksel, unë kam ngritur shqetësimet për arrestimin arbitrar dhe të papranueshëm të Nehat Thaçit, zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës. Këtë çështje e kam ngritur edhe me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe kam kërkuar angazhim. Si dhe në takimin trepalësh që e kemi pasur me palën serbe kam kërkuar që të lirohet menjëherë, sepse nuk ka bazë për arrestimin e tij. Ai është qytetar i Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës kujdeset për qytetarët e vet. Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Bilaterale është Ministria e Jashtme, e cila i adreson këto çështje.

Zëri: Cila është përgjigjja e BE-së dhe cila e palës serbe?

Tahiri: Nga Bashkimi Evropian kam marrë premtime për angazhim për këtë çështje, derisa pala serbe nuk ka qenë e gatshme të premtojë zgjidhje vetëm është thirrur që do ta shqyrtojë rastin pasi, sipas tyre, rasti kishte kaluar në organet e drejtësisë. Prej atij momenti për këtë çështje merret Ministria e Punëve të Jashtme si institucion kompetent për kujdesin e qytetarëve jashtë Kosovës.

Zëri: A shpresoni se pala serbe do të vendosë pozitivisht në rastin e Thaçit?

Tahiri: Serbia detyrimisht do ta lirojë z. Thaçin sepse juridiksioni i Serbisë është vetëm  brenda kufijve të Serbisë. Dhe Serbia po shkel konventat ndërkombëtare duke tentuar që të ketë juridiksion edhe në Kosovë. Jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe në raport me Kroacinë është ky problem dhe desha të them se Kroacia tashmë ia ka ndërprerë Serbisë bisedimet për integrim evropian, pikërisht që Serbia po e shkel juridiksionin.

Zëri: A dihet arsyeja e shkuarjes së z. Thaçit në Serbi, pasi që sipas një deputeti të Listës Serbe ai edhe më herët ka kaluar në territorin serb?

Tahiri: Për këtë çështje duhet të ju drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme, ajo merret me këto çështje tani.

Nëse Serbia vazhdon me arrestime, do t’i kundërpërgjigjemi

Zëri: Nëse nuk lirohet Thaçi, a mund të ketë arrestime edhe të zyrtarëve serbë nga pala kosovare?

Tahiri: Kjo është çështje e drejtësisë, institucionet tona të drejtësisë janë ato që duhet të merren edhe Prokuroria, ndërsa unë kam kërkuar reciprocitet ndaj sjelljeve të Serbisë. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë sjellje, ne do të veprojmë me reciprocitet. Mirëpo ne si Qeveri nuk kemi të drejtë të ndikojmë në organet tona të drejtësisë, janë ato të cilat duhet të shqyrtojnë këtë situatë dhe unë nuk mund të them më shumë. Si përfaqësuese e Qeverisë dhe politikane, unë kërkoj nga organet tona të Qeverisë që të veprohet me reciprocitet. Unë kam të drejtë të kërkojë reciprocitet masash kur një shtet nuk sillet mirë.

Zëri: A ka gjasa të ndryshohen sjelljet e palës serbe dhe të shkohet drejt një normalizimi të raporteve?

Tahiri: Këto sjellje arrogante të Serbisë nuk e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po organizohen me ndihmën e BE-së dhe të Amerikës. Serbia ka bërë shkeljen e Marrëveshjes për Lëvizje të lirë.

Zëri: Arrestimi i kryepolicit Thaçi a do të ketë ndikim në ndërprerjen e dialogut në Bruksel?

Tahiri: Me këtë çështje po merret Qeveria e Republikës së Kosovës dhe është ajo që do ta shqyrtojë. Unë mendoj se kjo çështje është e madhe. Dialogu i Brukselit është një proces i rëndësishëm jo vetëm për fqinjësi të mirë si kusht i inkuadrimeve evropiane. Qeveria duhet të vendosë çfarë të bëjë në këtë aspekt pastaj ne do të ju njohim me atë vendim.

S’merrem me deklaratat e Gjuriqit

Zëri: Si i komentoni deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit?

Tahiri: Me deklaratat e pamatura që vijnë nga Serbia unë nuk merrem. Ne jemi një shtet serioz dhe duhet seriozisht që të merremi me inkuadrimin në BE. Vlerësoj se dialogu i Brukselit e ka ndihmuar Kosovën të vendosë marrëdhënie kontraktuale mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Ne do shkojmë drejt inkuadrimit të BE-së, nuk do të merremi  me deklarata të pamatura.

Zëri: Çka vlerësoni si arritje në dialogun e Brukselit deri më tani?

Tahiri: Sukseset më të mëdha janë vendosja e kufirit ndërshtetëror mes Kosovës e Serbisë, pastaj shuarja e strukturave paralele të Serbisë në shumë fusha. Shuarja e strukturave të MUP-it në vitin 2013. Dhe kur po flas për shuarje dëshiroj të theksoj se ne kemi vendosur policinë shtetërore në veri të vendit, ne kemi vendosur doganat dhe policinë në pikat kufitare. Janë bërë shumë masa që kanë dalë nga dialogu i Brukselit që kanë shtrirje jo vetëm në sovranitetin e Kosovës në veri të vendit, por edhe kanë vendosur ligj, rend dhe situata po normalizohet. Një prej sukseseve që dëshiroj të theksoj është hapja e Urës së Ibrit. Që nga përfundimi i luftës kjo urë ka qenë me pengesa, me barrikada, ka qenë një urë ndarëse. Tashmë prej datës 14 gusht është hapur ura dhe po kryhet rivitalizimi i saj për t’u hapur për qytetarë dhe për automjete, pra ura tanimë është bërë simbol bashkimi jo vetëm i Mitrovicës, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zëri: Kur do të arrihet Marrëveshja për Telekomin me palën serbe?

Tahiri: Për këtë çështje jam deklaruar javën e kaluar, nuk kam çfarë të shtoj më shumë.

Zëri: Gjuriqi ka deklaruar se Serbia ndodhet para një vendimi të vështirë për telekomunikacionin, për çfarë vendimi konkretisht bëhet fjalë?

Tahiri: Ato janë çështje të tyre të brendshme nuk merrem me këtë proces, çështjet e brendshme të tyre janë të tyret. Ne si palë në këto bisedime jemi konstruktivë, kemi qenë dhe do të mbetemi konstruktivë në pajtim me marrëveshjet.

Zëri: A kanë filluar parapërgatitjet për zbatimin e Marrëveshjes për Targat prej 15 nëntorit?

Tahiri: Ka përfunduar takimi i grupit punues për zbatimin e Marrëveshjes për Reciprocitet, ku kemi përcaktuar veprimet që ne do t’i ndërmarrim më 15 nëntor të fillojnë punimet.

Zëri: A ka qenë zgjidhja më e mirë zbulimi i simbolit të Republikës?

Tahiri: Në kushtet e mosnjohjes mes dy shteteve e dimë që po bëjmë bisedime në Bruksel në kushtet kur edhe Kosova, edhe Serbia, nuk kanë njohur ende njëra-tjetrën, në këto kushte kjo zgjidhje është dukur që është zgjidhje e mirë për të vendosur reciprocitet mes dy shteteve. Ne jemi bazuar në modelin e Greqisë dhe të Maqedonisë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare kur ka probleme njohëse gjenden zgjidhje siç kemi gjetur ne, por duke u bazuar në Konventën e Vjenës për Reciprocitet në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ajo që do të vlejë për veturat tona do të vlejë edhe për veturat e Serbisë.

Zëri: Marrëveshja për Targat a është pengesë për qytetarët e Luginës, të cilët jetojnë në Kosovë dhe që kanë vetura të regjistruara në Serbi?

Tahiri: Kjo marrëveshje është vetëm lehtësim për ta, siç e dini kur jemi te çështja e Luginës së Preshevës, para Marrëveshjes për Tarifa të Automjeteve ata kanë paguar taksa për hyrje apo dalje. Tarifat e larta të sigurimit të automjeteve janë hequr komplet. Para marrëveshjes kanë qenë në zbatim nga ana e Serbisë tabelat “Proba”, tashmë qytetarët nuk kanë nevojë t’i largojnë tabelat në kufi.