Shtohen tensionet mes Kosovës e Serbisë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës, ka thënë se do të hyjë kur të dojë dhe do t’i padisë ata që janë duke ia cenuar lirinë

Arrestimet e ndalimet e fundit në Kosovë kanë hedhur grimca acarimi mes Kosovës e Serbisë. Paraburgimi i drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, dhe një javë pas ndalimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili po shihet si një përgjigje e palës kosovare ndaj të bëmave serbe kanë shtuar tensionin mes dy shteteve. Autoritetet në Kosovë kanë potencuar se për rastin e “Thaçit” do të ndërmarrin masa, por deri më tani nuk është paraparë asnjë veprim konkret. Ndërkohë në anën tjetër, vetë Gjuriq i cili nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës ka thënë se do të hyjë kur të dojë dhe do t’i padisë ata që janë duke ia cenuar lirinë. Në Qeverinë e Kosovës thonë se sjellja e tillë nga autoritetet serbe nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve, derisa në anën tjetër opozita thotë se Kosova i ka pasur marrëdhëniet e acaruara me Serbinë para se të ndodhnin këto incidente.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka shprehur shqetësimet për ngjarjet e fundit mes dy shteteve, sipas Abdullahut, rastet e tilla nuk i dërgojnë marrëdhëniet drejt normalizimit. “Ne jemi duke u përpjekur si Qeveri të kemi raporte normale, por aktet e tilla, veprimet e tilla nuk e ndihmojnë normalizimin. Nuk i përmbushim obligimet ne si shtet në dy rastet dhe Serbia për atë që është projekt i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Abdullahu.

Për ndodhitë e fundit që po bëhen brenda territorit të Kosovës është deklaruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai gjatë vizitës në Tiranë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me arrestimin e drejtorit të Policisë Thaçi, duke thënë se “Kosova nuk mund t’u përgjigjet arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë”.

Ndalesa e Gjuriqit, masë e përkohshme ndaj arrestimit të Thaçit

Adem Salihaj, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar se Kosova kurrë nuk ka mundur t’i ndalojë zyrtarët serbë që të hyjnë këtu sa herë kanë dashur. Ai ndalesën e Gjuriqit për të hyrë në Kosovë e quan si një masë të përkohshme që po bëhet karshi arrestimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicë. “Përgjigjja e vërtetë ndaj Serbisë do të ishte arrestimi i një zyrtari serb që hyn në Kosovë dhe negocimi i lirimit të të dyve. Por, siç e dimë ne kjo nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka potencuar Salihaj. Në përfundim të deklaratës së tij Salihaj ka thënë se është pikërisht Marrëveshja e Brukselit, e cila i ka shkaktuar këto “trazira”. “Marrëveshja e Brukselit po ua mundëson vizitat të gjithë zyrtarëve serbë, të cilët e kanë shndërruar Kosovën në poligon ku po zhvillojnë propagandat kundër shqiptarëve”, ka përfunduar ai.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, mendon se Qeveria e Kosovës ka kohë që është në defensive në raport më Serbinë dhe vetë qeverisjen e saj.

“Ka pasur disa raste ku gjoja janë ndaluar disa zyrtarë serbë që ta vizitojnë Kosovën, por të gjitha këto janë bërë për shou mediatik dhe menjëherë pas kësaj autoritetet serbe i kanë realizuar edhe vizitat edhe qëllimet e tyre në Kosovë”, ka deklaruar Nitaj.

Reagimin e institucioneve për oficerin e Policisë zëdhënësi i AAK-së e quan si të çuditshëm, të vonuar dhe sipërfaqësor. “Nuk e di pse ka qenë i tillë. Është fjala këtu për Serbinë apo për diçka që opinioni publik nuk e di. Është mirë të pyeten përfaqësuesit e institucioneve se pse ka qenë një reagim kaq i çuditshëm?”, ka përfunduar Nitaj.

Koordinatorja për qendrat në lëvizjen “Vetëvendosje”, Teuta Rrusta, konsideron se ndalimi i kriminelëve, siç i referohet ajo Gjuriqit, që e duan kthimin e Kosovës në Serbi, duhet t’u ndalohet hyrja jo vetëm në një rast dhe si hakmarrje. “Marrëdhëniet Kosovë - Serbi s'mund të trajtohen si çështje e thjeshtë. Mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një histori, ekziston një luftë ku Serbia ka qenë xhelati dhe ne viktima, ekziston një histori negociatash të pabarabarta, ku Serbia trajtohet si palë pa u kushtëzuar dhe favorizohet në vazhdimësi”, ka deklaruar Rrusta. Përfaqësuesja e LVV-së shprehet e sigurt në  kushtëzimin e Serbisë nga ana e Kosovës për dialog, sipas saj, kjo është e vetmja zgjidhje që dërgon deri në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve gjithnjë duke marrë parasysh vullnetin e Serbisë.

Në “Nismën për Kosovën” kanë reaguar pozitivisht për ndalesën e Gjuriqit. Ky vendim  sipas kësaj partie opozitare duhet të zgjasë pasi që, sipas tyre, ka shumë arsye. “Jo vetëm rasti i fundit i drejtorit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, por edhe arrestimet e mëhershme kanë treguar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të acaruara. Pavarësisht se çdo ditë kemi deklarime se marrëdhëniet janë përmirësuar, kjo është vetëm një farsë”, ka thënë Bajram Hasani nga kjo parti.

Sipas tij, të gjitha këto veprime duhet të shërbejnë si një leksion për Serbinë që të mësohet t’i respektojë marrëveshjet e arritura.

“Serbia edhe më herët ka deklaruar se do të arrestohen edhe të tjerë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë në një listë që e posedon Serbia ku ata persona akuzohen për ‘Terrorizëm’”, përfundoi Hasani.

Thaçi, viktimë e institucioneve kosovare

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, vlerëson se gjendja e Kosovës është një status quo, treguesi që argumenton këtë, sipas tij, është vizita e presidentit Thaçi në Shqipëri.

“Vizat dhe liberalizimi i tyre është embargo ndaj institucioneve të Kosovës dhe sidomos kundrejt presidentit dhe kryeparlamentarit që kanë stërzgjatur procedurat e bashkëpunimit për Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Abazi.  

Ai ka shtuar se interesat e ngushta personale e klanore që funksionojnë në Kosovë nuk mund të pranohen në rregullat e lojës në Bruksel e Washington.  

“Thaçi është viktimë e institucioneve kosovare dhe siç edhe është e qartë këto institucione mund të thërrasin njëra-tjetrën në telefon për të larguar njerëz nga lista, por për të mbrojtur dikë janë plotësisht të paafta dhe jokredibile”, ka shtuar Abazi.

Abazi në fund ka lënë të kuptohet se arrestimi i Nehat Thaçit nuk do të jetë i fundit i këtij lloji.