Miliona euro për paga politike

Në fund të vitit 2015, sipas një raporti të Auditorit të Përgjithshëm të publikuar ditë më parë, shihet se në të gjitha komunat e Kosovës kanë qenë të punësuar 1029 punëtorë me kontrata mbi vepër, për pagat e të cilëve janë shpenzuar rreth 1.7 milion euro

Shuma të mëdha parash të buxhetit të shtetit, edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për punëtorë të punësuar me kontrata mbi vepër, thuajse në të gjitha komunat e Kosovës.

Në një raport të Auditorit të Përgjithshëm, thuhet se në fund të vitit që lamë pas në gjithë komunat e Kosovës me kontratë mbi vepër kanë qenë të punësuar 1,029 punëtorë, për pagat e të cilëve janë shpenzuar hiç më pak se 1 milion e 659 mijë euro.

Bazuar në raportin e Auditorit, shihet se Komuna e Prishtinës prin me numër të të punësuarve me kontrata mbi vepër ku në fund të vitit 2015 në këtë mënyrë i kanë pasur të punësuar 276 punëtorë.

Pas Prishtinës, prin Komuna e Gjilanit me 126 punëtorë, Komuna e Prizrenit me 119 punëtorë, Komuna e Pejës me 67 punëtorë, Komuna e Ferizajt me 52 punëtorë, Komuna e Gjakovës me 46 punëtorë, Komuna e Suharekës me 37 punëtorë, Komuna e Rahovecit me 36 punëtorë, Komuna e Podujevës me 33 punëtorë, Komuna e Obiliqit me 32 punëtorë, ndërkaq komunat tjera kanë numër më të vogël të të punësuarve në këtë mënyrë.

Në raport thuhet se me Ligjin për Shërbimin Civil lejohet që aty ku komuna ka nevojë për angazhim të ekspertëve për një periudhë të kufizuar, të zhvillojë procedura të thjeshtësuara të rekrutimit dhe se kontratat e tilla për shërbime të veçanta duhet të jenë deri në gjashtë muaj.

“Derisa raportet e ndryshme individuale të auditimit kanë treguar për një numër parregullsish sa i përket ushtrimit të të drejtave nga ky nen, nga një numër i organizatave, ne kemi sjellë një analizë të shpenzimeve dhe numrit të të angazhuarve nën kontratat për shërbime të veçanta”.

Shpenzuan rreth 1.7 milion euro

“Në total, të 35 komunat kanë shpenzuar gjithsej 1,659,843 euro për rreth 1,029 persona gjatë vitit 2015. Prej të gjitha komunave, gjatë vitit 2015 vetëm komunat Klinë, Shtime, Novobërdë dhe Ranillug nuk kishin angazhuar asnjë punonjës sipas kontratave për shërbime të veçanta”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se derisa duhet të ekzistojë një ndërlidhje e përafërt mes numrit dhe pagesave, meqenëse ka kufizime në kohëzgjatjen e kontratave në vepër, komunat jo gjithmonë respektojnë këtë.

“Komunat Prizren dhe Gjilan edhe pse kanë numër të përafërt të të angazhuarve në kontrata në vepër, pagesat në emër të tyre kanë shumë dallim. Kjo nënkupton që Gjilani mund t’i ketë punësuar ata me një kompensim të lartë si dhe i ka pasur të angazhuar gjatë gjithë vitit. Nëse krahasojmë Gjilanin me Prishtinën, Prishtina ka paguar pak më shumë sesa Gjilani, por për një numër dyfish të të punësuarve. Kamenica edhe pse ka angazhuar një numër më të ulët në kontrata në vepër, shuma e paguar është më e lartë sesa ajo që ka paguar Gjakova edhe pse kjo e fundit kishte afro trefish më shumë të angazhuar. Podujeva dhe Prizreni nuk kanë shumë dallime në pagesat e kompensuara, por numri i të angazhuarve dallon. Pra, Podujeva mund t’i ketë punësuar ata një kompensim të lartë si dhe gjatë gjithë vitit”, thuhet më tej në raportin e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Tahiri: Kemi angazhuar 33 studentë e ekspertë në Drejtorinë e Urbanizmit

Adonis Tahiri nga Komuna e Prishtinës thotë se Komuna e Prishtinës, si kryeqytet i Kosovës, ka numër shumë të vogël të punëtorëve në krahasim me vëllimin e madh të punëve që janë të domosdoshme për përmirësimin e shërbimeve për qytetarë.

“Për këtë arsye, Komuna e Prishtinës përgjatë vitit 2016 ka lidhur marrëveshje për punë specifike dhe për bashkëpunim me njerëz të tjerë jashtë stafit, ashtu që të mos kemi ngecje në realizimin e obligimeve që kemi karshi qytetarëve. Me Ligjin për Legalizim dhe afateve kohore që janë në të, parashihet angazhimi i punëtorëve shtesë për fazat e zbatimit të atij ligji. Bazuar në të, kemi angazhuar 33 studentë e ekspertë në Drejtorinë e Urbanizmit në fazën e identifikimit dhe regjistrimit të objekteve pa leje, duke e pasur parasysh numrin enorm të ndërtimeve pa leje në këtë Komunë përgjatë qeverisjes së LDK-së”, ka thënë ai.

Ai më tej thotë se për t’i paguar artistët që performuan nëpër organizimet kulturore të Komunës, janë nënshkruar 11 marrëveshje me grupe dhe këngëtarë të ndryshëm.

Po ashtu, sipas tij, për realizimin e dokumentarit të Komunës, Komuna është dashur të lidhë marrëveshje me një regjisor, një post produksion, një tonist dhe një kameraman – pra gjithsej 4 marrëveshje të tilla.

“Janë edhe 39 punëtorë të Kuzhinës Qendrore, e cila ishte privatizuar nga Isa Mustafa por nga viti 2014 ne e kemi kthyer nën menaxhim të Komunës, me të cilët kemi lidhur marrëveshje për punë specifike, me ç’rast është bërë funksionale dhe sot i furnizon me ushqim të gjitha çerdhet e Prishtinës. Po ashtu, nëpër drejtori të caktuara, për projekte të caktuara afatshkurtër, prej janarit të vitit 2016 e deri më sot janë angazhuar në periudha të ndryshme edhe 46 bashkëpunëtorë të tjerë, ku përfshihen operatorë për futjen e të dhënave, anketues, arkivistë, fotografë, zhvillues të softuerit të tiketimit, koordinatorë të mësimit tërëditor, bashkëpunëtorë për komunikim me media, e të ngjashme”, ka thënë më tej ai.

Në Gjakovë, 35 punëtorë me kontratë mbi vepër

Abetare Domi, zyrtare për media në Komunën e Gjakovës, thotë se gjatë vitit 2015 në këtë Komunë kanë qenë të angazhuar gjithsej 25 punëtorë me kontratë mbi vepër.

“E njëjta është raportuar edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, (Këtu bëjnë pjesë edhe 5 punëtorë nga Qendra Informative për të cilët buxheti ka qenë i siguruar dhe janë paguar nga UNDP-ja). Sipas raportit të fundit nga zyra e Thesarit aktualisht me kontratë mbi vepër i kemi gjithsej 35 punëtorë. Prej të cilëve: 4 punëtorë – gjeodetë, financohen dhe paguhen nga DEMOS, 5 punëtorë (part-time) – Qendra Informative, financohen dhe paguhen nga UNDP, 22 punëtorë – Mirëmbajtës të Higjienës në ambulancat e Komunës – Drejtoria e Shëndetësisë (për shkak të rishpallje së tenderit është dashur që të paguhen derisa të përzgjidhet kompania fituese)”, ka thënë ajo.

Të punësuar me kontratë mbi vepër ka edhe në Komunën e Malishevës e cila drejtohet nga Ragip Begaj.

“Në vitin 2015, kanë qenë të angazhuar tre (3) punëtorë me kontratë mbi vepër, ndërsa aktualisht janë shtatë (7) punëtorë të angazhuar me kontratë mbi vepër”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e kësaj Komune.

Punëtorët e sigurimit, me kontratë mbi vepër

Po ashtu, zyrtarë të zyrës për media në Komunën e Gjilanit, kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se Komuna e Gjilanit gjatë vitit 2015 ka pasur të angazhuar 67 persona me kontratë mbi vepër edhe atë: 25 në shërbim civil, 37 në sektorin e arsimit dhe 5 në sektorin e shëndetësisë.

Ndërkaq, për këtë vit, aktualisht në Komunën e Gjilanit janë të angazhuar 17 punëtorë me kontratë mbi vepër, tetë janë punëtorë sigurimi të objekteve komunale, ndërkaq të tjerët janë duke i zëvendësuar shërbyesit civilë, të cilët sipas bazës ligjore, gjenden në pushime.

Po ashtu, Burim Gërguri nga komuna e Obiliqit ka bërë të ditur se në këtë Komunë në dhjetor të vitit që lamë pas, kanë qenë të punësuar 3 punëtorë me kontrate mbi vepër.

“Aktualisht janë dy punëtorë me kontratë mbi vepër dhe atë në sektorin e ambient, dy punëtorë teknikë me kohëzgjatje 2 muaj, këta dy punëtorë teknikë janë të angazhuar në mirëmbajtjen e drunjve dekorativë të cilët janë me km gjatësi, krasitjen e tyre, barit përreth dhe punë tjera komunale teknike”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe Haziz Krasniqi nga zyra për informim e kësaj e Komunës së Rahovecit ka bërë të ditur se aktualisht në këtë Komunë janë duke punuar 4 punëtorë me kontratë mbi vepër të cilëve gjatë muajit shtator iu përfundon kontrata.

“Ju njoftoj se asnjë kontratë mbi vepër nuk është bërë më shumë se 120 ditë punë sa edhe e lejon ligji”, ka thënë ai.