Zvarritet verifikimi i viktimave të dhunës seksuale
Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës nuk ka filluar ende. Komisioni qeveritar për verifikimin e këtyre viktimave ende nuk është formuar, ndonëse ky komision ishte paralajmëruar të formohet vitin e kaluar.
Megjithatë të enjten ka arritur të mbyllet afati për aplikimin e konkurrentëve për anëtarë të këtij komisioni. Komisioni qeveritar për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale do të ketë nëntë anëtarë në përbërje të tij, katër anëtarë të pavarur dhe pesë të tjerë nga institucionet qeveritare. Formimi i këtij komisioni ka kaluar në përgjegjësi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. E zvarritja për verifikim të viktimave e ka “humbur” edhe buxhetin për kompensimin e viktimave që mund të verifikohen për sivjet.
Përderisa institucionet e Kosovës kanë zvarritur formimin e një komisioni të tillë, organizatat joqeveritare në terren kanë filluar të flasin me viktimat e dhunës seksuale për t’i bindur që të deklarohen dhe të marrin mbështetjen financiare nga shteti.
Kadire Tahiraj, nga OJQ “Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave”, në Drenas, ka thënë për gazetën se ky komision është dashur të formohet shumë më parë, por ende, sipas saj, nuk ka konkrete asgjë në drejtim të funksionalizimit të komisionit.
Jahjaga aktualizoi çështjen e viktimave të dhunës seksuale
Tahiraj përmend se gjatë mandatit të ish-presidentes Atifete Jahjaga është aktualizuar çështja për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Lënia anash e këtyre viktimave ajo thotë se ka shkaktuar mosbesim tek ato. Prandaj, Tahiraj vlerëson se shumë pak femra pritet të deklarohen për dhunën seksuale të shtruar ndaj tyre nga forcat serbe. Megjithëse si OJQ, thotë se tashmë kanë filluar të shkojnë fshat më fshat që viktimat t’i bindin të deklarohen. Ajo thotë se përmes angazhimit të grave në projekte të ndryshme kanë arritur që t’i identifikojnë edhe të dhunuarat, por numri më i madh i tyre për shkak të mentalitetit dhe mosmbështetjes së shoqërisë, Tahriaj konsideron se rrezikon të mbesin jashtë procesit të verifikimit.
Miradije Gashi, nga OJQ “Venera”, thotë se jo vetëm që po neglizhohen viktimat seksuale të dhunës deri më tash, por shteti është vonuar shumë me procesin e verifikimit. “Çështja e verifikimit të femrave që është ushtruar dhunë seksuale ndaj tyre është dashur që nga paslufta të trajtohet njëkohësisht me çështjen e të pagjeturve”. Gashi ka kritikuar mënyrën sesi po tentohet të bëhet ky verifikim përmes komisionit qeveritar.
“Është mënyra jo e duhur. Si mund të marrësh deklarata sot nga disa femra të dhunuara që deri më tash disa janë çmendur e pjesa tjetër që janë rehabilituar kanë familje, është vështirë të binden që të deklarohen ato”, thotë Gashi duke shtuar se këto femra janë lënduar edhe nga shteti i Kosovës. Gashi thotë se vendbanimet ku ka pasur dhunime masive janë të identifikuara dhe nuk është vështirë të dihen nga janë ato femra dhe të socializohen e të punësohen, që, sipas saj, do të ishte zgjidhja për t’u dalë në mbështetje.
Në tetor pritet që komisioni të funksionalizohet
Ndërkaq Feride Rushiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bën të ditur se të enjten është mbyllur afati për konkurrim të anëtarëve për komisionin qeveritar. Ajo thotë se sipas procedurave pritet që në tetor të jetë funksional ky komision. Rushiti ka thënë se katër anëtarë do të jenë të pavarur dhe pesë të tjerë nga dikasteret qeveritare.
Sipas saj, formimi i komisionit është zvarritur tej mase. Ajo thotë se në dhjetor të vitit 2015 legjislacioni ka qenë i gatshëm për të filluar punën komisioni që nga fillimi i këtij viti. Rushiti thotë për “Zërin” se edhe nëse komisioni fillon punën, nuk ka buxhet për sivjet që të kompensohen viktimat, që verifikohen. Sipas Rushitit, Qeveria mundësitë buxhetore për këtë kategori i ka drejtuar kah veteranët duke lënë kështu nën hije viktimat e dhunës seksuale.
Ministri Arban Abrashi në një postim të tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se së shpejti fillon procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
Në mars të 2014-s Kuvendi miratoi Ligjin për Gratë e Dhunuara Gjatë Luftës, duke u lënë një hapësirë kohore rreth 5 vjet që femrat të kenë mundësi të paraqiten për t’i fituar beneficionet. Shuma sipas përllogaritjeve aktuale nuk kalon vlerën e kompensimit prej 200 eurove.