Pak shpresa nga takimi me kryeministrin

Ekspertët e pavarur nuk shpresojnë shumë se takimi i kryeministrit Mustafa me liderët opozitarë do të sjellë zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, analistët politikë shpresojnë se në këtë takim mund të merren vesh për dërgimin e marrëveshjes në Arbitrazh 

Qeveria dhe opozita pritet të mblidhen në ditët në vijim për të diskutuar edhe një herë rreth Marrëveshjes së Demarkacionit. Kjo me iniciativën e kryeministrit Isa Mustafa dhe më pastaj me aprovimin e partive opozitare.

Mirëpo edhe këto bisedime janë “të projektuara” për të dështuar, sepse, sipas ekspertëve nuk ka fakte të reja për t’u prezantuar në këtë mbledhje.

Siç vlerësojnë ata, faktet që paraqesin të vërtetën tanimë janë prezantuar nga ana e tyre e jo nga Qeveria. Ata thonë se thirrja e kësaj mbledhjeje ka të bëjë me çështje politike, por assesi me çështje profesionale.

Pavarësisht kësaj, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se për çështje që kanë të bëjnë me demarkacionin do të bisedohet vetëm me fakte. Sipas tyre, duhet shikuar gjithmonë interesi nacional dhe ai i qytetarëve.

Ndryshe prej ekspertëve të pavarur, njohësit e çështjeve politike në Kosovë mendojnë se ekziston mundësia që nga takimi i ardhshëm mes pozitës e opozitës të arrihet një kompromis, qoftë edhe duke e dërguar marrëveshjen në Komisionin e Arbitrazhit.

Versioni aktual i Demarkacionit, një e keqe e madhe për Kosovën

Profesori i gjeografisë në Universitetin e Prishtinës Florim Isufi, ka vlerësuar se Qeveria nuk ka fakte të reja për të ofruar në mbledhjen që pritet të mbahet rreth Demarkacionit.

Përkundrazi, sipas tij, këto bisedime nuk kanë fare të bëjnë me gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nuk e besoj që Qeveria ka fakte të reja, bisedimet janë politike. Ata mund të bëjnë gjithçka, por fakte shkencore jo”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, takimi që pritet të mbahet në ditët në vijim nuk ka motiv kryesor ofrimin e fakteve e as bindjen e publikut.

“Nuk besoj se këto bisedime janë që t’i ndryshojnë faktet ose që ta bindin me fakte të reja opozitën, opinionin në përgjithësi, sidomos opinionin shkencor”, ka shtuar më tutje ai.

Sipas Isufit, nuk ka mundësi që kjo vijë të shkojë përpara nëse nuk përmirësohet edhe një herë. Ndërkaq, ka vlerësuar se po qe se kjo marrëveshje miratohet në Kuvend, atëherë do të mbetet në histori si një gjë tejet negative.

“Nëse kjo vijë e demarkimit sipas dy komisioneve shkon dhe ratifikohet, do të jetë një e keqe e madhe që i ndodh Kosovës në historinë e saj”, ka deklaruar ai.

Isufi gjatë bisedës ka ripërsëritur se vija aktuale e demarkacionit në mes dy komisioneve nuk është aspak në rregull dhe nuk do të jetë në rregull asnjëherë, përderisa ekzistojnë faktet hartografike.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, njëherësh profesor në Departamentin e Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se në tërë këtë mes ekziston vetëm një e vërtetë dhe ajo, sipas tij, është që kjo marrëveshje është plotësisht e dëmshme.

“Veç një e vërtetë ekziston, nuk mund të ekzistojnë më shumë. Prandaj, sigurisht ato që ne i kemi thënë deri më sot, të mbështetura në fakte, janë hartografi nëpër periudha të ndryshme kohore që janë marrë, janë rregulluar, janë analizuar”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Sipas deputetit të Kuvendit, e tëra çka ka pasur të bëjë me profesionalizëm tashmë ka përfunduar pasi që, ashtu si ai është shprehur, të tjerat kanë të bëjnë vetëm me çështje politike.

“Faktikisht kjo çështje më nuk është profesionale, por krejtësisht politike. Në anën profesionale ne e kemi bërë punën tonë, tash e tutje profesionalizëm s’ka, ka veç politikë”, ka deklaruar Bulliqi.

Qeveria: Faktet duhet të jenë baza e bisedës

Pavarësisht këtyre zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë se rreth Marrëveshjes së Demarkacionit do të bisedohet vetëm me fakte.

“Akuzat për kokëfortësi nuk i ndihmojnë askujt, faktet e parrëzuara duhet të jenë bazë e cilësdo bisedë, cilitdo komunikim. Duhet të ngadhënjejë interesi nacional i Kosovës dhe gjithsesi interesi i qytetarëve të saj”, ka thënë Abdullahu.

Një gjë e tillë, sipas tij, vazhdon të jetë parimi kyç i Qeverisë sa i përket çështjes së demarkacionit. Abdullahu më tutje ka thënë se takimi me opozitën do të ndodhë atëherë kur kryeministri Mustafa të kthehet nga New Yorku.

“Kryeministri Mustafa posa të kthehet nga New Yorku do t’i përkushtohet agjendës së demarkacionit, ku përfshihen edhe takimet me opozitën”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë. Lidhur me këtë çështje, Abdullahu ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese e korrekte, por asnjëherë përjashtuese.

Analistët: Ekziston mundësia që pozita e opozita të gjejnë kompromis

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, është shprehur optimist se pozita dhe opozita do të bien në ujdi sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Zoti Mustafa ka bërë mirë që e ka tërhequr Ligjin për Demarkacionin dhe besoj se mund ta arrijë një kompromis me opozitën, korrigjim të procesit ose edhe Arbitrazh Ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.

Sipas Matoshit, Arbitrazhi Ndërkombëtar nuk i prish raportet mes fqinjëve. Përkundrazi, siç ai është shprehur, Arbitrazhi vetëm sa i forcon ato kur palët janë të gatshme t’i drejtohen për ndihmë.

Halil Matoshi më tutje ka vlerësuar se ftesa për bisedë ka ardhur pasi Qeveria e ka kuptuar se nuk ka vepruar drejt.

“Më duket se Qeveria e ka vërejtur gabimin dhe po përpiqet të gjejë mekanizma për t’u korrigjuar, prandaj edhe kryeministri po i vazhdon negociatat me opozitën”, ka shtuar ai gjatë bisedës. Sipas tij, haptas shihet se gjatë kësaj marrëveshjeje janë bërë lëshime.

Ndërsa, ka vlerësuar se në një demokraci funksionale, pjesëmarrja e subjekteve opozitare nëpër vendimet e mëdha shtetërore është e nënkuptueshme.

Vendimet që kanë të bëjnë me çështje të tilla, sipas Matoshit, merren me konsensus, metodë kjo e cila siç thotë ai, është shembur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Këso vendimesh të interesit shtetëror merren kryesisht me konsensus të gjerë të spektrit politik, porse këtë praktikë të mirë e ka rrënuar Hashim Thaçi dhe PDK-ja”, ka deklaruar ai.

E analisti politik Krenar Shala vendimin e kryeministrit Mustafa për të diskutuar me opozitën rreth demarkacionit e ka cilësuar si diçka pozitive.

“Konsideroj që nisma e Qeverisë për të debatuar dhe për të biseduar me të gjithë akterët relevantë të vendit, megjithëse i vonuar, është për t’u përshëndetur”, ka deklaruar ai.

Sipas Shalës, në një shtet demokratik, për çdo çështje duhet të diskutohet dhe të debatohet, sidomos lidhur me vendimet të cilat prodhojnë efekte afatgjate.

Ai më tutje ka thënë se bisedimet e tilla mundësojnë në shmangien e gabimeve të mundshme të këtij procesi.

“Rëndësia e dialogut dhe debatit i bën mirë jo vetëm vendit, por edhe krijon hapësirë më të madhe për t’i evituar gabimet eventuale”, ka përfunduar Shala.