Vendimin e ka mbështetur edhe trajneri Bruno Akrapoviç, sipas të cilit nuk do të ishte e kuptimtë që bazën e ekipit ta ndërtonte me futbollistë të cilët të ardhmen e tyre e shikojnë jashtë Shkëndijës. “Mua si trajner më vjen keq për këtë situatë të krijuar. Megjithatë situata është e tillë, që klubi planifikon të ardhmen në plan afatgjatë dhe në këtë drejtim do të llogaritet vetëm në futbollistë të cilët janë 100% të përqendruar në sukseset e klubit dhe assesi për lojtarë që mendojnë vetëm për karrierat e tyre personale, të cilët të ardhmen e tyre e shohin jashtë Shkëndijës”, deklaroi tekniku boshnjak.
Shkëndija nënvizon se “strategjia afatgjatë për zhvillimin dhe rritjen e klubit kërkon një disiplinë dhe përcaktim pa llogari individuale, me qëllim përmbushjen e objektivave strategjike të klubit me një sponsor kaq serioz, stabil dhe strategjik. Më se tre vite që nga momenti kur ‘Ecolog tha Po’, asnjëherë nuk mbeti i papërmbushur asnjë detyrim i vetëm i paraparë në kontrata të klubit ndaj asnjë futbollisti, pavarësisht nga paraqitjet dhe kontributi i tyre”.
Sipas klubit kuqezi, për këtë përkushtim të sponsorit kërkohet edhe përkushtimi individual dhe ekipor i çdo lojtari, për të përmbushur objektivat e klubit, gjithashtu aq të dëshiruara edhe nga tifozët në përgjithësi dhe “Ballistët” në veçanti.
“Egzonit, Besirit dhe gjithë të tjerëve që mund të gjenden në situata të ngjashme, me kohë u janë shpjeguar gjithë këto objektiva, duke kërkuar prej tyre përcaktim në të mirën e dy palëve, por që për rrethana të pakuptueshme për klubin, u refuzuam! Përgjegjësinë për fatin e tyre profesional e mbajnë vetë futbollistët si kontraktues profesionalë në klubin që u rritën tash e sa vite bashkë me ne. KF Shkëndija ndjen keqardhje për këtë situatë të krijuar, por ishin vetë futbollistët që zgjodhën këtë rrugë”, përfundon komunikata.