Demarkacioni, partitë pa konsensus

Përfaqësuesit e të gjitha subjekteve shqiptare në Kuvendin e Kosovës janë skeptikë për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për çështjen e demarkacionit, pavarësisht takimeve që po organizohen mes palëve me qëllim të përafrimit të qëndrimeve

Iniciativa për takime të përbashkëta të përfaqësuesve të subjekteve politike në vend do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim që të gjendet një zgjidhje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Megjithatë, përfaqësuesit e subjekteve politike në vend shprehen skeptikë për mundësinë që kjo të arrihet, pasi qëndrimet aktuale të pushtetit dhe të opozitës janë diametralisht të kundërta dhe thonë se ato vështirë se do të ndryshojnë. Opozitarët e bëjnë të qartë se marrëveshje me pushtetin mund të ketë vetëm nëse tërhiqet marrëveshja aktuale nga ana e Qeverisë.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se kjo çështje kërkon konsensus politik.
“Tani ne kemi hyrë në një fazë të re... Çështja e demarkacionit nuk është dhe nuk duhet të lidhet as me zgjedhjet e reja, as me interesat e ngushta të lidershipit e as me interesat partiake në Kosovë. Ajo është çështje e cila duhet të bëhet, por duhet të bëhet mirë, të analizohet dhe të studiohet mirë dhe duhet të sillet në Kuvend për t’u votuar”, ka deklaruar Haliti për radio “Evropën e Lirë”.

Rugova: Ideja për dialog, të përshëndetet

Ndërsa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se ideja për dialog ndërmjet subjekteve politike duhet të përshëndetet. Megjithatë, ai ka thënë se nuk është shumë optimist se do të arrihet pajtimi ndërmjet palëve.
“Ideja është që të arrihet një konsensus, prandaj është një iniciativë që duhet të përshëndetet sepse është qëllimi më i mirë i mundshëm. Dihet se nuk është çështje e lehtë, por të shohim se çfarë do të arrihet. Duhet të bëhet një zgjidhje. Ne nuk kemi nevojë të mos komunikojmë, pa marrë parasysh se sa mund të arrihet nga takimet. Nuk jam shumë optimist se do të mundë të arrihet pajtimi, por do të dëshiroja që të arrihet sepse do të ishte në të mirë të shtetit”, ka theksuar Rugova.

Kurti: Dialogu për Demarkacionin, kur Qeveria është në defensivë

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë për “Zërin” se iniciativa për gjetjen e një zgjidhjeje po bëhet në kohën kur Qeveria është në defensivë.

“Iniciativa të tilla po bëhen në kohën kur Qeveria është në defensivë, kur Qeveria e dorëzuar do të duhet të dorëhiqet dhe kur Prokuroria do të duhej t’i fillonte hetimet kush janë ata që bënë këso marrëveshjesh që në njërën anë është krim dhe në anën tjetër është tradhti. Pra, në mënyrë që të mos flitet për historinë e problemit, ata flasin për një lloj zgjidhjeje”, është shprehur Kurti, duke thënë se përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” marrim pjesë nëpër forumet ku ftohen për të diskutuar për Demarkacionin për shkak se janë të interesuar ta thonë me saktësi e qartësi mendimin e tyre. Kurti ka thënë se në anën e opozitës është e vërteta shkencore dhe e drejta politike për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Isufi: Qeveria, të tërhiqet

Kurse nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria tashmë është detyruar që të komunikojë edhe me banorët e fshatrave të Rugovës. Por, Isufi ka thënë se Qeveria duhet të tërhiqet.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të ketë debat dhe të gjendet zgjidhja, e cila e ndryshon gjendjen sa i përket demarkacionit sepse konsiderojmë se Komisioni ka gabuar dhe çdo ditë e më tepër po vërtetohet kjo, kështu Qeveria është detyruar që të komunikojë me qytetarë. Prandaj duhet të tërhiqet Qeveria, ta shkarkojë Komisionin dhe të ribëhet demarkacioni”, ka deklaruar Isufi.

Madje ai ka thënë se Qeveria duhet të tërhiqet edhe për vetë faktin se deputetët e koalicionit qeverisës janë kundër kësaj marrëveshjeje.

Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se në takimin e së enjtes në parim është lënë mundësia që të ketë takime sërish, por ka thënë se nuk mund të konstatohet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje.

“Në parim e kemi lënë të hapur mundësinë. Por nuk është caktuar ndonjë datë. Dua të besoj, por nuk mund të konstatoj se do të ndodhë apo jo”, ka potencuar Sherifi.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, thotë se këto takimet e ngjashme do të vazhdojnë për të krijuar një platformë me të cilën përfaqësuesit e partive politike do të pajtohen për të punuar bashkë deri te një zgjidhje, me bazë sa më të gjerë të përfshirjes.

“Hapi i parë është bërë të enjten, i vogël, por dallimet mbesin. Kjo nuk ka të bëjë me qëndrimet për rezultatin final sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin, porse si t’i qasemi këtij dialogu, kësaj çështjeje, përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës. Po mendojmë që ta krijojmë këtë platformë, këtë bazë, për bashkëpunim të të gjitha subjekteve”, ka njoftuar Rashiti për radion “Evropën e Lirë”.

Megjithatë, Rashiti thekson se qëndrimet e partive politike, të atyre në pushtet, të cilat janë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe partive opozitare që janë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në formën e tanishme, nuk kanë ndryshuar.