Thaçi e Mustafa kungohen në Vatikan

Derisa po celebrohej mesha për shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kanë shkuar vullnetarisht për të marrë kungimin, rit ky ndër më kryesorët në kremtimin e meshës për besimtarët katolikë.

Ndonëse të ftuar në cilësinë e zyrtarëve të lartë shtetërorë, sipas burimeve të gazetës, presidenti dhe kryeministri kanë vendosur që për një moment t’i kryejnë obligimet e besimtarëve të krishterë, edhe pse një gjë e tillë është në kundërshtim me normat dhe rregulltat e kishës katolike

Duke u bazuar në traditën kishtare, kungimi është njëri ndër sakramentet më të rëndësishme, të cilin mund ta marrin vetëm besimtarët e krishterë. Sipas normave dhe rregullave të përcaktuara nga kisha, të gjithë besimtarët e pagëzuar në fenë e krishterë e të cilët janë të rrëfyer kanë të drejtë të kungohen. Mirëpo këtë normë, me ose pa vetëdije, e kanë thyer dy udhëheqësit më të lartë shtetërorë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, ku u janë bashkuar besimtarëve të shumtë në sheshin e “Shën Pjetrit” në marrjen e kungimit, ani pse me rregulla të kishës një gjë e tillë ndalohet për personat që nuk i përkasin religjionit të krishterë.

Marrjen e kungimit gjatë kësaj meshe nga ana e presidentit Thaçi e ka konfirmuar vetë Zyra e tij.

Sipas tyre, presidentit Thaçi i është ofruar kungimi dhe ai ka pranuar atë. “Po, presidentit Thaçi i është ofruar kungimi dhe e ka pranuar. Presidenti Thaçi respekton çdo protokoll dhe çdo rit fetar në ceremonitë në të cilat merr pjesë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Ndërsa për dallim nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga gazeta në lidhje me këtë çështje. Pavarësisht insistimit të gazetës për të marrë përgjigje, kjo Zyrë nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse vërtet kryeministri Mustafa ka marrë kungimin gjatë kësaj meshe. Mirëpo, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, presidenti dhe kryeministri janë parë duke marrë kungimin në meshën, që i dedikohej shenjtërimit të Nënës Terezë.

Don Fatmir Koliqi: Marrja e kungimit nga jo të pagëzuarit, një gjest injorance dhe keqpërdorimi

Ritin e kungimit, i cili është ndër ritet kryesore në meshën e shenjtë, e shpjegon më së miri një prift katolik, Don Fatmir Koliqi. Sipas tij, kungimi është ndër sakramentet kryesore në kishën katolike dhe nuk mund ta marrin besimtarët, të cilët nuk i përkasin fesë së krishterë.

“Kungimi i shenjtë është njëri ndër shtatë sakramentet e kishës katolike, të themeluar prej Jezu Krishtit. Është sakramenti i tretë me radhë. Bën pjesë në të ashtuquajturin sakramentet e fillesës së jetës së krishterë, që zakonisht e kanë pranuar kandidatët e rritur që janë përgatitur për pagëzim (katekumenët), bashkë me sakramentin e pagëzimit dhe të krezmimit. Kungimin mund ta marrin e duhet ta marrin vetëm të pagëzuarit, të cilët besojnë se e marrin Jezusin eukaristik, të pagëzuarit që janë në hirin shenjtënues, thënë me fjalë tjera, ata që janë të denjë/të pastër shpirtërisht për takim me Jezusin. Nuk mund ta marrin kungimin ata që nuk janë të pagëzuar, ata që i përkasin fesë tjetër (si p.sh. hebrenjtë, myslimanët, hinduistët, budistët etj.) apo ata që nuk besojnë (ateistët, gnostikët etj.)”, ka bërë të ditur Koliqi.

Sipas tij, çdokush që e merr atë e që nuk është i pagëzuar si katolik përbën një gjest injorance, keqpërdorimi dhe papërgjegjshmërie njerëzore.
“Për të marrë kungimin nevojitet vetëdija e plotë, besimi dhe përqafimi se në kungim është i pranishëm Jezu Krishti. Ata që do të shfrytëzonin, për shkak të mosnjohjes nga prifti apo ndarësi i kungimit, për ta marrë kungimin e që nuk i përkasin fesë katolike apo nuk janë të pagëzuar do të ishte një gjest injorance, në rastin më të lehtë e në rastin më të rëndë gjest keqpërdorimi, papërgjegjësie njerëzore dhe shpirtërore”, ka thënë në fund Don Fatmir Koliqi.

Blerim Burjani: Ky ka qenë një dështim protokollar

Sipas ekspertit të ligjeve ndërkombëtare, i cili është edhe profesor universitar, Blerim Burjani, ky veprim nga ana e presidentit dhe e kryeministrit ka qenë një dështim protokollar.

“Unë mendoj që ka dështuar protokolli në këtë rast, sepse një shtet specifik si Vatikani i ka procedurat protokollare të cilat duhet t’i zbatojë secili që shkon atje. Ky është dështim yni sepse paraprakisht duhet ta dijë presidenti dhe kryeministri se ku e kanë vendin. Sipas meje, ky mund të jetë dështim protokollar ose mund të ketë ndodhur që udhëheqësit tanë të cilët kanë shkuar atje të mos e kuptojnë vendin se ku po shkojnë, rëndësinë e meshës apo edhe të riteve fetare”, ka thënë Burjani.