Qeveria realizon kërkesat, menaxhmenti i “Ferronikelit” kërkon letra
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, i ka thënë “Zërit”, se të enjten në orën 9:30 minuta, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka përmbushur të gjitha kërkesat që ka parashtruar “Ferronikeli”, andaj më nuk ka asnjë pengesë për të rifilluar prodhimi. Por, menaxhmenti s’po iu beson fjalëve, por po kërkon dokumente me shkrim nga Qeveria e Kosovës
Duket se menaxhmentit të “Ferronikelit” nuk i ka bërë fare përshtypje se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kërkesat që ka parashtruar “Ferronikeli”: leja për dislokimin e rrugës dhe të hekurudhës që kalojnë midis minierës së “Gllavicës” në Magurë të Lipjanit, pasi që është vlerësuar se në këtë pjesë nga kalojnë rruga dhe hekurudha ka rezerva të mëdha të xehes së Niklit, si dhe të ulet çmimi i energjisë elektrike, ndërsa komuna e Drenasit ka liruar gjigantin kosovar nga të gjitha taksat komunale. Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të “Ferronikelit”, i ka thënë “Zërit” se të enjten në orën 9:30 minuta, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka përmbushur të gjitha kërkesat që ka parashtruar “Ferronikeli”, andaj më nuk ka asnjë pengesë për të rifilluar prodhimi. “Qeveria e Kosovës ka njoftuar menaxhmentin si dhe SP-në se ka realizuar të gjitha kërkesat e ‘Ferronikelit’. Rreth orës 9:30 minuta, të enjten, kemi marrë informacionin se Qeveria e Kosovës sa ka realizuar kërkesat për dislokimin e rrugës dhe të hekurudhës në Medvec, si dhe që komuna e Drenasit ka liruar gjigantin ekonomik kosovar nga taksat komunale. Ndërkaq, sa i përket çmimit të energjisë elektrike, kjo çështje ka mbetur që të zgjidhet në mes të kompanisë dhe KEDS-it. Edhe kjo çështje, sa ne jemi njoftuar është zgjidhur. Në këtë mënyrë, nuk ka mbetur më asnjë pengesë që të rifillojë prodhimi në ‘Ferronikel’”, ka thënë Nika, i cili me një nervozë të theksuar ka sqaruar se tani menaxhmenti duhet ta përmbushë premtimin që ka dhënë, se me realizimin e kërkesave nga Qeveria e Kosovës do të rinisë prodhimi në “Ferronikel”.
“Tani kam dalë nga një mbledhje e menaxhmentit, në të cilën edhe unë merrja pjesë. Menaxhmenti është duke kërkuar vendime me shkrim nga Qeveria për përmbushjen e kërkesave, ata po duan me pas letra, se vërtet Qeveria ka plotësuar kërkesat. Unë, në emër të të gjithë punëtorëve i jam falënderuar Qeverisë së Kosovës, e cila ka bërë çmos për t’i plotësuar kërkesat e menaxhmentit të ‘Ferronikelit’, të gjitha kërkesat që ka paraqitur, vetëm që të rifillojë prodhimi dhe që punëtorët të mos mbesin pa punë dhe në fund i ka plotësuar kërkesat. Tani krejt puna është te menaxhmenti, Qeveria ka kryer punën e vet. Prodhimi duhet të rifillojë dhe ne besojmë se kjo do të ndodhë më 1 tetor”, është shprehur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika. Ndonëse Nika nuk e thotë, nga fjalët e tij mund të kuptohet se ka dyshime sa i përket rifillimit të prodhimit, pasi që edhe pas realizimit të kërkesave, “tani po kërkohet diçka tjetër, më shumë, vetëm që të arsyetohet vazhdimi i mbajtjes mbyllur të ndërmarrjes”, e ndoshta edhe që “Ferronikeli” të mbyllet krejtësisht. Ekipi i “Zërit” ka insistuar që të marrë pjesë në mbledhjen e menaxhmentit të “Ferronikelit”, të enjten, por menaxhmenti ka refuzuar kategorikisht, e madje asnjë nga anëtarët e menaxhmentit nuk ka shprehur gatishmërinë për të folur për gazetën. Gazeta ka mësuar nga burime të tjera, se menaxhmenti është përpjekur që t’ia ndalojë kryetari të SP-së, Fehmi Nika, që të flasë, ose që të paktën ai të ketë kujdes çfarë flet për gazetën. E vetë Nika tha se në mbledhje është diskutuar për rezultatet e punës, deri në momentin kur ai ka dalë nga mbledhja për t’u prononcuar për “Zërin”. “Në mbledhje është diskutuar për rezultatet e deritashme, nuk kemi diskutuar fare për rifillimin e prodhimit”, ka thënë Nika, pas përfundimit të mbledhjes. Nika ka sqaruar se menaxhmenti ua ka paguar punëtorëve 70 për qind të pagës për muajin korrik, ndërsa ka mbetur pa u paguar muaji gusht. “Jemi marrë vesh që punëtorëve t’u paguhen nga 100 euro para Bajramit, pastaj pjesa tjetër”, është shprehur Nika.
Skeptikë janë shprehur edhe vetë punëtorët e “Ferronikelit”. Një prej tyre, i cili heziton ta thotë emrin, shprehet me bindje se puna në “Ferronikel” ka përfunduar.
“Nuk ka gjë prej kësaj pune. Këta drejtuesit vetëm gjejnë arsye për ta mbyllur ‘Ferronikelin’. Kjo kompani që e ka privatizuar ‘Ferronikelin’, po do vetë me e mbyll, se nuk gjen leverdi më. Ata kanë realizuar qëllimin e vet, e kanë shfrytëzuar deri në fund dhe tani duan ta mbyllin. Le të çohen të gjithë në këmbë, me Qeveri e me punëtorë se kot është. Ja kanë ngul dhëmbin me e mbyllë dhe do ta mbyllin. Ka kris gazep për ne punëtorët, sepse nuk kemi nga ja mbajmë. E njëjta është sikurse me ‘Llamkosin’, ‘Ferronikeli’ ka falimentua, vetëm ata që janë të verbër nuk e shohin”, është shprehur ai.
Ndryshe, “Ferronikeli” ka ndërprerë prodhimin më 1 prill të këtij viti, për shkak se, siç ishte thënë në një njoftim të “New Co Ferronikeli Complex”, anëtar i grupit të kompanive “Cunico Resoures NV”, “të problemeve teknike të zbuluara kohëve të fundit me pajisje të caktuara në fabrikë, të cilat kanosin sigurinë në fabrikë, krijojnë rrezikun që të shkaktohet dëm i pariparueshëm i pajisjeve, dhe në këtë mënyrë detyron vendosjen e menjëhershme të fabrikës në gjendje për riparim, si dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve, e cila po shkakton humbje të konsiderueshme për grupin”. Në njoftim ishte thënë gjithashtu se në fabrikë do të zbatohet Plani i Mirëmbajtjes dhe Kujdesit “CAMP”, që do të përfshijë rinovimin e furrës rrotulluese dhe furrës elektrike në linjën 1, si dhe pajisjeve tjera mirëmbajtëse. Sipas të njëjtit njoftim ky proces do të zgjaste përafërsisht 90 ditë, përkatësisht deri në fund të qershorit të këtij viti.