Specialja, aktakuzat e para këtë vit

Pas emërimit të David Schwediman-it në krye të Prokurorisë Speciale, pritet që aktakuzat e para të ngrihen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm

Aktakuzat e para nga Gjykata Speciale për ish-eprorët e lartë të UÇK-së pritet të nisin në fund të këtij viti. Kështu kanë thënë për “Zërin” njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend, pak ditë pas emërimit të David Schwediman-it në krye të Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë edhe Qeveria ka konfirmuar se ka ofruar gjithë bashkëpunimin e saj rreth kësaj çështjeje. Gjykata Speciale do të hetojë krimet të cilat dyshohet se janë bërë në periudhën 1999-2000 nga ish-pjesëtarët e UÇK-së kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë. Siç edhe dihet tashmë, Dhomat e Specializuara janë vendosur në Hagë, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe autoritetet holandeze. Ndërkohë ajo që është e sigurt deri më tani është fakti se të dënuarit nuk do të vuajnë dënimin e tyre në Holandë, por as në Kosovë. “Bashkimi Evropian pret që kjo të miratohet nga fundi i këtij viti, por holandezët deri tani nuk janë ngutur”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Nora Ahmetaj, studiuese nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim nga Prishtina. Ajo ka shtuar se krimet e individëve do të duhej që Kosova t’i procedonte vetë në mënyrë që kjo të mos i lihej BE-së. “Unë thellësisht dua të besoj në drejtësinë ndërkombëtare. E rrugës ka qenë që edhe ne si Serbia, Kroacia e Bosnja dhe Hercegovina, ta kishim themeluar gjykatën për krime të luftës në Kosovë menjëherë pas luftës”, ka deklaruar ajo. Se Specialja do të nisë aktakuzat e para në fund të këtij viti ka thënë edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare, Blerim Burjani. “Gjykata është duke e kryer punën e vet dhe tash duket se është e gatshme për t’i ndërmarrë veprimet zyrtare, edhe pse veprimet e tilla konkrete, në ngritjen e aktakuzave të para, mendoj se do të merren kah fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Burjani.

 
 Specialja si dështim i Kosovës

Sipas analistëve kosovarë, Gjykatën Speciale do të duhej ta formonte Kosova, por dështimi i saj për ta bërë një gjë tillë ka shtyrë bashkësinë ndërkombëtare për të reaguar. Pikërisht për këtë arsye ata mendojnë se nga kjo Gjykatë nuk do të mundë të ikë asnjë njeri, qoftë kryeministër, president apo i një pozite tjetër.

“Kosova nga 2008-a ka dështuar të ngrejë një gjykatë vendore që do të merrej me krimet e kryera gjatë luftës, ashtu siç bënë shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë. Kjo edhe e vuri në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike i cili më pas ka shtuar: “Gjykata do t’i hetojë të gjitha akuzat e ngritura në raportin e Dick Martyt. E rëndësishme është që askush nuk do të mundë të fshihet pas pozitës së presidentit, kryeministrit apo zyrtarit qeveritar”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”. Ai gjatë bisedës ka vlerësuar se shtyrja e finalizimit të kësaj gjykate, për disa arsye do t’i konvenonte qeverisë aktuale. “Për Qeverinë, shtyrja e themelimit do të ishte një bekim, ngase ajo aktualisht është duke luftuar në tri fronte: Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave Serbe dhe plotësimi i kërkesave të Listës Serbe për të fituar votat e tyre në Kuvend për themelimin e ushtrisë e Kosovës”, është shprehur Ajeti.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu. Ai në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e interesuar që çështjen në fjalë ta procedojë, atëherë kur gjithçka të jetë gati.

“Qeveria është munduar pandalshëm që çdo gjë që është e nevojshme dhe në kompetencat e saj në këtë drejtim, të jetë kooperative. Ne si Qeveri, jemi të interesuar që çështja në fjalë të procedohet në kohën kur çdo gjë do të jetë në rregull në aspektin procedural dhe përmbajtjesor”, ka thënë Abdullahu.

Qeriqi: Ndërkombëtarët duan ta njollosin UÇK-në

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka vlerësuar se ndërkombëtarët po duan ta njollosin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ne të gjithë kemi pritur nga ndërkombëtarët që do të merren më seriozisht me kriminelët serbë dhe t’i vënë para drejtësisë. Por, këtu ndodhi e kundërta, ndërkombëtarët po e fshehin krimin dhe po mundohen që me çdo kusht ta njollosin luftën e UÇK-së”, ka deklaruar ai. Qeriqi ka thënë se të gjithë janë në dijeni se serbët kanë qenë ata, të cilët kanë kryer krime në Kosovë. Sipas tij, një gjë të tillë e dinë edhe vetë ndërkombëtarët. “Për këtë janë në dijeni edhe ndërkombëtarët. Kjo ishte edhe arsyeja pse intervenoi bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, pra për ta ndalur dhunën dhe gjenocidin serb”, është shprehur Qeriqi.

Abazi: Gjykata Speciale, e rrezikshme

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është mjaft e rrezikshme për shtetin e Kosovës. “Gjykata Speciale është një precedent i rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën, por për drejtësinë ndërkombëtare. Negociatorët dhe përfaqësuesit e Kosovës të udhëhequr nga Hajredin Kuçi, kanë pranuar një gjykatë e cila është ndërtuar dhe drejtuar ndaj një grupi etnik”, ka thënë ai, duke shtuar se ata që kanë kryer krime nuk duhet të mbrohen në baza etnie. Abazi është shprehur skeptik se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi. Kjo pasi, ashtu si ai ka thënë, Holanda ka pranuar që Gjykata të jetë atje, por jo të përdoret buxheti i saj, ndërkaq, institucionet në Kosovë kanë vonuar nënshkrimin e marrëveshjeve përcjellëse. “Kjo e bën edhe më të dyshimtë dhe më jobindëse tendencën për të nxjerrë drejtësi”, ka theksuar ai.