Maliqi: Demarkacioni nuk ka 'vdekur'

Qeveria nuk e ka menaxhuar mirë çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mirëpo kjo marrëveshje nuk ka “vdekur”, siç po pretendon opozita kosovare. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” analisti politik Shkelzen Maliqi, duke shtuar se dy shtete sovrane mund të bisedojnë hapur për korrigjim logjik të kufirit.  

Ai mohon që opozita ka qenë faktor për tërheqjen e Demarkacionit nga rendi i ditës në seancën e 1 shtatorit në Kuvend, por, sipas tij, pa mbështetjen e Listës Serbe nuk ka qenë e mundur të kalojë kjo marrëveshje.

Sipas Maliqit, pozita edhe opozita po tregojnë shenja lodhjeje, çorientimi dhe dështimi dhe nuk merren me  probleme jetike, por po zhvillojnë luftën e pakompromis për pushtet.

Zëri: Si e vlerësoni tërheqjen e Demarkacionit nga rendi i ditës së Kuvendit?

 Maliqi: Në përgjithësi Qeveria nuk e ka menaxhuar mirë çështjen e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk ka qenë transparente nga fillimi dhe nuk ia ka shpjeguar opinionit parimet mbi të cila është bërë marrëveshja. Pastaj, prejse opozita e politizoi dhe e bëri çështje tërë kohën Qeveria ka qenë në defensivë, sikur as vetë nuk ka qenë e sigurt për punën që është bërë ose është paraqitur vetëm me qëndrime arrogante dhe pa argumente mbështetëse. Mendoj se kjo arrogancë ka qenë edhe nga një mentalitet i krijuar prej kohësh se për çështjet e nxehta dhe kontestuese Qeveria është mjaftuar me mbështetjen dhe Arbitrazhin Ndërkombëtar, i cili as kësaj radhe nuk ka munguar. Thjesht, ka llogaritur se edhe një pjesë e opozitës në momentin e fundit do t’i bindet amerikanëve. Por kjo nuk ndodhi dhe Qeveria ishte në rrezik që pas bojkotit të Listës Serbe të humbë një çështje që e ka konsideruar të drejtë dhe të fituar. Tërheqja në momentin e fundit edhe më shumë ka krijuar përshtypjen e gabuar se ajo po e mbron një çështje që dëmton Kosovën.

Zëri: A mendoni se kjo ndodhi për shkak të mungesës së votave apo për shkak të presionit të opozitës?

Maliqi: Qeverisë i kanë munguar votat. Opozita nuk ka qenë faktor, por me zhurmën dhe ndikimin që ka pasur te një pjesë e deputetëve të koalicionit në pushtet. Çështja është se për këtë votim duhen 2/3 e votave në Kuvend dhe opozita me disa zëra “disidente” në PDK dhe LDK ka krijuar që t’i rrezikojë votat e mjaftueshme për ratifikim. Pa Listën Serbe kjo nuk ka qenë e mundshme. Madje, Qeveria ka dështuar që të negociojë paraprakisht me Listën Serbe. Nëse kjo është e saktë, është dëshmi shtesë për arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e Qeverisë.

Zëri: A mendoni se ka “vdekur” Demarkacioni?

Maliqi: Jo. Demarkacioni është bërë sipas parimit që është aplikuar në përcaktimin e kufijve të të gjitha shteteve shkencore të ish-Federatës Jugosllave. Kosova është pavarësuar me kufijtë që i ka pasur si njësi federale e ish-Jugosllavisë,  Kushtetutës së fundit të viti 1974 dhe gjendjes më 31 dhjetor të vitit 1988. Kjo datë e 31 dhjetorit është matur si delimituese për shkak se më 1989 Serbia e ka abroguar autonominë e Kosovës dhe ka mundur të bëjë edhe ndryshime të kufirit të Kosovës. Ato nuk janë marrë në konsideratë fare. Këtë gjë se Demarkacioni është bërë mbi këtë parim dhe metodologji përkatëse e ka konstatuar edhe një komision ekspertësh të huaj, që ka analizuar punën e Komisionit dhe vetë Marrëveshjen e Demarkacionit.

Zëri: Megjithatë, opozita është shprehur se Demarkacioni ka “vdekur”?

Maliqi: I vdekur do të duhej të ishte kontestimi i tyre sepse e kanë stërpolitizuar çështjen. Por, siç thashë më parë, çështja mund të ngjallet dhe të rinegociohet korrigjimi i kufirit. Ka dhe nga ana e Malit të Zi pakënaqësi, jo aq të mëdha sa këndej, por janë të karakterit të njëjtë si vërejtjet nga Kosova. Kjo jep shtytje të mjaftueshme që dy vende të fillojnë bisedimet dhe gjejnë pajtimin. Dy shtete sovrane mund të bisedojnë hapur për korrigjim logjik të kufirit.  

Zëri: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së demarkacionit?

Maliqi: E shoh si shpalosje të tapive ekzistuese mbi pronën. Dy palët, kosovarët dhe malazezët, kanë konsultuar detajisht gjendjen kadastrale dhe kanë gjetur përputhshmëri. Të mos keqkuptohem, unë nuk po them se këto tapi ose harta e pronë kadastrale janë më të mirat dhe më të drejtat, sigurisht se historikisht pjesë e Kosovës ose e Shqipërisë është dashur që të jenë edhe disa territore që i ka prej kohësh Mali i Zi, si zona e Plavës dhe e Gucisë. Po kështu, nëse demarkacioni ose delimitimi, siç preferojnë ta quajnë disa, do të duhej të bëhej sipas parimeve të repekimit të gjeografisë dhe përbërjes etnike të zonave ndërkufitare e disa tjera, atëherë kërkesat e opozitës do të mundë të ishin të paktën parimisht të drejta. Por, nuk ka qenë detyrë e komisioneve e as e qeverive që të negociojnë një kufi të ri, por të konstatojnë si ka qenë kufiri mes dy vendeve më 31 dhjetor 1988.  

Kosovarët e kanë paguar tatimin në Rozhajë

Zëri: Ju mendoni se çështja e demarkacionit është në rregull?

Maliqi: Është në rregull në këtë aspekt si e përshkrova më parë. Opozita nuk ka dëshmuar me asnjë fakt se pjesë të konstatuara të zonës kufitare me Malin e Zi janë administruar nga Kosova. Është e vërtetë se ato zona dhe kullota i kanë shfrytëzuar kosovarët, por ama tatimin për kullotat e kanë paguar në Mal të Zi, në Rozhajë. Pajtohem se kufiri nuk është i logjikshëm dhe do të mundë të korrigjohej nëse do të kishte biseda dhe pajtim i të dy palëve, por ky është një proces tjetër, nuk është ai i përcaktimit të kufijve e sukcesionit. Këtë të dhënë elementare nuk e kuptojnë kundërshtuesit e ratifikimit të marrëveshjes.  

Zëri: A mendoni se ekspertët e demarkacionit kanë dhënë versionin e duhur?

Maliqi: Varet se për cilët ekspertët mendoni. Shumica e kanë ngatërruar çështjen duke futur konfuzion dhe emocione, madje dhe pasione për luftë…

Zgjedhjet e parakohshme, në pranverë

Zëri: Cila do të ishte zgjidhja për këtë skenë politike?

Maliqi: Edhe pozita edhe opozita tregojnë shenja lodhjeje, çorientimi dhe dështimi. Nuk merren me  probleme jetike, por zhvillojnë luftën e pakompromis për pushtet. Mendoj se është koha që kjo klasë të zëvendësohet me një më të përgjegjshme. Kjo nuk është aq e lehtë, por është e domosdoshme. Zgjedhjet e parakohshme, që unë besoj se do të mbahen në pranverë, do të duhej të tregonin se gjërat do të lëvizin në këtë drejtim.