Fajon: Vizat tashmë varen nga Kosova
Eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar për “Zërin” se pa miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi dhe pa luftimin e korrupsionit s’ka liberalizim të vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian. Sipas saj, datën e heqjes së vizave tashmë e cakton Kosova
Pa u ratifikuar Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi nuk do të ketë kurrfarë progresi të mëtejshëm në liberalizimin e vizave në instancat evropiane. Madje këtij kriteri duhet t’i shtohet edhe konkretizimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që procesi të rifillojë. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.
Fajon duke thënë se tani topi është në fushën e Kosovës, ka shtuar se me votën e fundit në LIBE Parlamenti Evropian i ka dërguar mesazhe të qarta lidershipit kosovar se ata janë seriozë rreth liberalizimit të vizave për kosovarët. “Vota e së hënës është jashtëzakonisht e rëndësishme. Komiteti përgjegjës në Parlamentin Evropian ka miratuar raportin tim për liberalizim të vizave për Kosovën. Ne i kemi dërguar një mesazh të qartë Kosovës që jemi të përkushtuar në këtë proces”, ka thënë Fajon për gazetën “Zëri”.
Gjithnjë, sipas saj, në instancat e Bashkimit Evropian është bërë një punë e jashtëzakonshme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën saqë para disa muajve ka qenë e paparashikueshme një gjë e tillë. “Disa muaj më parë ishte shumë e vështirë vetëm për të imagjinuar një rezultat pozitiv. Ne e kemi shtyrë Kosovën me guxim shumë përpara në agjendën e Këshillit. Unë kam shprehur falënderimet e mia më të sinqerta për kolegët e mi në LIBE që kanë kuptuar rëndësinë e heqjes së vizave për Kosovën”, ka shtuar Fajon.
Duke hedhur më shumë dritë rreth situatës në të cilën gjendet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën aktualisht, ajo ka thënë se një hap shumë i rëndësishëm përpara është bërë me votimin në Komitetin LIBE. Por ka shpjeguar edhe pse procesi tani do të “ngrihet”. “Komiteti LIBE tashmë e ka përfunduar punën e tij. Hapi i ardhshëm është votimi në një seancë plenare në Parlamentin Evropian dhe kjo do të ndodhë vetëm kur dy kriteret e fundit të jenë plotësuar”, ka thënë më tutje raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.
Datën e liberalizimit e cakton Kosova
Tanja Fajon ka konfirmuar edhe një herë se për një “Kosovë pa viza” nuk ka më kushte të reja nga BE-ja, përveç atyre që kanë mbetur në gjysmë. “Nuk ka më kushte. Vetëm ato dyja që janë përmendur tani e një kohë të gjatë. Pa ratifikimin e kufirit me Malin e Zi në kohën e duhur ne nuk mund të procedojmë përpara në Parlamentin Evropian. Ne po ashtu kemi nevojë për një rekord të qartë rreth rasteve të korrupsionit. Procesi i liberalizimit të vizave kërkon shumë përkushtim dhe tani topi është në fushëveprimin e Kosovës”, ka thënë Fajon për gazetën “Zëri”. Madje raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur edhe rreth një date ideale se kur qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Përgjigjja e saj ka qenë mjaft befasuese. “Data ideale është kur puna të ketë përfunduar. Ne duhet që të japim maksimumin tonë që kjo të ndodhë. Unë personalisht do të bëj gjithçka që është në duart e mia për të mbështetur Kosovën në këtë proces”, ka përfunduar eurodeputetja Tanja Fajon.
Tanko: Hapat tjerë, pasi të veprojë Kosova
Komiteti LIBE nuk ia ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave me Këshillin e Evropës raportueses për liberalizimin e vizave me Kosovën, Tanja Fajon, për faj të Kosovës. Kështu ka thënë asistenti politik i Tanja Fajonit, Jure Tanko. Ai ka shpjeguar se në mënyrë që procesi të rinisë Kosova duhet të bëjë punën e saj. “Komiteti LIBE ka adoptuar raportin e Tanjas, që si hap i parë është shumë i rëndësishëm. Mirëpo nuk i ka dhënë asaj dritën e gjelbër që t’i nisë negociatat me vendet anëtare për marrëveshjen përfundimtare. Mandati tani duhet të jepet nga të gjithë eurodeputetët në një seancë plenare të Parlamentit Evropian”, ka thënë Tanko për gazetën “Zëri’. Edhe ai ka konfirmuar se Fajon do të procedojë me punë vetëm pasi që të gjitha kriteret të jenë plotësuar. “Pasi që Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi. Adaptimi i raportit në LIBE ishte një sinjal i mirë që procesi është gjallë ende. Sidoqoftë hapat tjerë do të ndërmerren vetëm pasi që Kosova të bëjë punën e saj. Së bashku me Parlamentin Evropian, para liberalizimit të vizave, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill gjithashtu duhet të japin dritën e gjelbër”, ka përfunduar Jure Tanko.