Rifillon lëshimi i certifikatave shëndetësore për leje armësh

Pas tetë muajsh që ishte bllokuar lëshimi i certifikatave shëndetësore të nevojshme për t’u pajisur me leje arme, kjo procedurë ka rifilluar në QKUK.

Procesi ishte ndërprerë pas një hulumtimi të gazetës “Zëri” kur ishin evidentuar parregullsi gjatë lëshimit të këtyre certifikatave

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rifilluar procesin e lëshimit të certifikatave mjekësore që dëshmojnë aftësinë psikike dhe fizike për përdorimin e armëve.

Këto certifikata janë një nga parakushtet për t’u pajisur me armë legale.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Shaban Mecinaj, ka konfirmuar për “Zërin” se ka rifilluar procesi i lëshimit të certifikatave shëndetësore të domosdoshme për t’u pajisur me leje arme. “Tashmë është formuar komisioni, i cili ka filluar të lëshojë certifikatat shëndetësore për marrjen e lejes për armë”, ka thënë Shaban Mecinaj, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë. Ai ka thënë se tashmë edhe anëtarët e komisionit kanë filluar të paguhen, duke bërë kështu që punët të bëhen më me seriozitet.

Certifikatat paguhen 50 euro, kontrollet bëhen të martën dhe të mërkurën

Mecinaj ka thënë se certifikatat shëndetësore lëshohen vetëm gjatë dy ditëve të javës, të martën dhe të mërkurën.

“Këto ditë kandidatët duhet të vijnë dhe t’i nënshtrohen kontrolleve”, ka thënë ai.

Ndërkohë nga korriku i vitit 2015, për tetë muaj rresht, nuk është lëshuar asnjë certifikatë mjekësore në QKUK për aftësinë shëndetësore të përdorimit të armës.

Kjo pasi ekipi i gazetës “Zëri” kishte arritur të sigurojë një incizim ku dëshmohej se njëri nga mjekët që ishte anëtar i komisionit për lëshimin e këtyre lejeve i kishte dhënë vulën e tij kolegut tjetër për të lëshuar certifikatat.

Ato paguhen nga 50 euro nga kandidatët kurse paratë derdhen në llogarinë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë që gazeta “Zëri” ka siguruar edhe raportin e Inspektimit të Ministrisë së Shëndetësisë që ndërlidhet me hulumtimin e gazetës “Zëri”.

Xhirimet e bëra në Klinikën e Psikiatrisë më datën 07 korrik 2015 nga ekipi i gazetës “Zëri”, janë përdorur si fakti kryesor edhe në raportin e inspektimit të Inspektoratit shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë ku është kërkuar që të vihen në përgjegjësi mjekët keqpërdorues.

Raporti konkludon se kandidatët ishin kontrolluar sipërfaqësisht dhe në afat të shkurtër, gjë që e kufizonte vlerësimin e mirëfilltë të aftësive psikofizike për pajisje të kandidatëve me leje për armë.

Raporti i inspektimit parasheh gjoba për mjekët që keqpërdorën me certifikata

Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor është kërkuar që neurologu Fatmir Ramaxhiku dhe mjeku familjar Veton Pllana, të referohen në Komisionin Etik-Profesional të SHSKUK-së dhe në Komisionin Disiplinor.

Shkeljet që ata kanë bërë sipas Inspektoratit Shëndetësor sanksionohen edhe me gjoba materiale të parapara me Udhëzimin Administrativ 04/2013, i dedikuar për certifikatat shëndetësore.

Sanksionet për shkelje të këtij udhëzimi parashohin gjoba prej 500 deri në 1500 euro për personat fizikë dhe juridikë.

Në rast të përsëritjes së veprës, parashihet humbje e licencës për punëtorin shëndetësor dhe institucionin që lëshon certifikatat deri në tri vjet.

Përveç gjobës që do t’i shqiptohet nga inspektorati shëndetësor, doktori Veton Pllana sipas raportit, për shkak të keqpërdorimit të vulës zyrtare dhe për mungesë në komisionin përkatës do të hidhet edhe në Komisionin Disiplinor, si dhe në Komisionin Etik dhe Profesional të SHSKUK-së.

Ndërkohë që kryeinspektorja e Shëndetësisë, Ardita Baraku, ka konfirmuar se e ka njoftuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për parregullsitë e evidentuara gjatë lëshimit të certifikatave shëndetësore. “Inspektorati Shëndetësor konstaton se komisioni nuk ka punuar sipas Udhëzimit Administrativ për lëshimin e certifikatave, në rastin e lejeve për armë”, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës.