Demarkacioni riprocedohet në Kuvend
Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, menjëherë pasi të fillojë sesioni vjeshtor.
Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk kanë afat kohor se kur do ta riprocedojnë në organin ligjvënës, por kjo do të ndodhe shumë shpejt, për shkak të proceseve të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, thotë se në ditët e ardhshme pritet edhe të konsultohen me partnerët e koalicionit para riprocedimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk ka kohë të caktuar, por për shkak të proceseve të rëndësishme si rasti i liberalizimit të vizave, duhet ta rikthejmë në Kuvend sa më parë që të jetë e mundur. Besoj pas konsultimeve në ditët e ardhshme në mes të partnerëve të koalicionit”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”.
Në seancën e së enjtes kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tërhoqi këtë projektligj, duke thënë se një grup parlamentar ka kërkuar koncesione si kusht për ta votuar Demarkacionin.
Por, deputetët e Listës Serbe, të cilët nuk morën pjesë në seancën e së enjtes, thanë se nuk kanë vënë asnjë kusht për votën e tyre pro marrëveshjes për Demarkacionin, porse bojkotimi i seancës ishte për shkak të moskonsultimeve të dy partive me të mëdha, PDK-së e LDK-së, me ta për çështjen e demarkacionit. Këtë e ka thënë deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq, i cili thotë se duhet të kenë diskutime dhe debate për këtë çështje para se të vijë deri të votimi.
“Faji nuk duhet të na hidhet neve sepse një komunikim i tillë për demarkacionin ka munguar në mes të partnerëve të koalicionit dhe deputetëve serbë. As unë dhe as kolegët e mi serbë nuk kemi marrë pjesë në takime ku është trajtuar Demarkacioni dhe nuk jemi informuar për këtë proces. Tërë kohën komunikimi ynë dhe i kryeministrit ka qenë përmes medieve... Në pesë muajt e fundit nuk kemi pasur takime dhe ne kemi menduar se për këtë çështje duhet të kemi ndonjë takim, të zhvillohet debat nëse ka nevojë”, ka deklaruar Rashiq për gazetën “Zëri” ditë më parë.
Mirëpo, ndryshe mendon analisti politik Halil Matoshi. Sipas tij, Qeveria nuk duhet ta riprocedojë në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, por ta shkarkojë Komisionin Qeveritar dhe të vendosë rinegocimin e kësaj marrëveshjeje.
“Do të ishte shumë më largpamëse sikur Qeveria ta shkarkonte Komisionin Shtetëror dhe të niste rinegocimin e marrëveshjes. Mirëpo paaftësia e Qeverisë për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje politike me konsensus të gjerë po e paralizon shoqërinë me mundësi polarizimi deri në konflikt”, ka thënë Matoshi për “Zërin”, duke shtuar se “zhurma” e Listës “Srpska” do të dëgjohet nga Qeveria dhe ata do të përfitojnë diçka.
“Mirëpo, kryeneçësia e pushtetit për ta dëgjuar opozitën është e trishtueshme. Kjo po dëshmon se sa politikanë agresivë dhe të këqij ka Kosova. Në thelb, kryeministri Mustafa është duke e ruajtur lëkurën politike të Hashim Thaçit, i cili e ka nënshkruar këtë marrëveshje të namur dhe i cili për inate personale dhe nga frika se mund të detyrohet të japë përgjegjësi, po i shmanget rinegocimit ose edhe Arbitrazhit Ndërkombëtar”, ka theksuar ai.