Policia heton skandalin e stentave pa afat
Policia e Krimeve Ekonomike ka filluar të hetojë skandalin e skadimit të afatit të stentave dhe materialeve tjera shpenzuese në Klinikën e Kardiologjisë.
Kjo, pasi gazeta “Zëri” ka publikuar para dy javësh një hulumtim që ndërlidhet me skadencën e afatit të stentave, pejsmekerëve, elektrodave, kateterëve, balonave dhe pajisjeve tjera që nuk janë përdorur brenda afatit në Klinikën për Kardiologji. Vlera e këtyre pajisjeve të skaduara besohet të jetë rreth 200 mijë euro.
E tëra është detajuar në një raport që i është dorëzuar Curr Gjocajt, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), nga u.d. drejtori i kardiologjisë Basri Sejdiu.
Ky raport, që “flet” në detaje për pajisjet që u ka skaduar afati e nuk janë përdorur në atë klinikë, siç konfirmojnë burimet në Policinë e Kosovës i është kërkuar menaxhmentit të SHSKUK-së nga ana e Policisë së Krimeve Ekonomike.
SHSKUK konfirmon se dorëzoi raportin në Polici
Lajmi se raportin e kanë dorëzuar në Polici e kanë konfirmuar edhe vetë zyrtarët e lartë të SHSKUK-së. “Me kërkesën e policisë ne tashmë ua kemi dorëzuar atyre raportin që kemi pranuar nga u.d. drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Basri Sejdiu, në lidhje me skadimin e afatit të materialeve në kardiologji”, ka thënë të dielën përmes telefonit, drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.
Ai ka shtuar se pasi kanë pranuar atë raport, kanë krijuar një komision, që do të bëjë një raport edhe më detajues në lidhje me këto çështje.
Por, siç konfirmojnë burimet brenda Policisë, edhe organet hetuese nuk do të hetojnë vetëm në një pistë. “Hetimet do të zhvillohen edhe në lidhje me mosfunksionimin e aparaturës për një kohë të gjatë në Klinikën e Kardiologjisë”, ka thënë një zyrtar i lartë Policie në kushte anonimiteti.
Ndryshe, raporti i hartuar nga u.d. drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Basri Sejdiu, “flet” në detaje për një varg pajisjesh të skaduara e që nuk janë përdorur në QKUK.
Në raport, drejtori gjeneral Gjocaj alarmohet se gjendja në Klinikën e Kardiologjisë është shqetësuese, pikërisht për shkak të skadencës së afatit të materialeve shpenzuese.
Raporti i drejtorit të Kardiologjisë, Basri Sejdiut, përfshin punën e komisioneve, të cilat janë angazhuar brenda klinikës të verifikojnë gjendjen dhe materialet që kanë në dispozicion.
Sipas atij raporti, me afat të skaduar janë regjistruar 105 stente me ilaçe, secila e blerë në vlerë prej 699 euro. Bëhet fjalë për llojin e stentave “Promus Premier dhe Sinergy”.
Po ashtu, ceket se ka skaduar afati i 47 pejsmekerëve, 6 elektrodave atriale dhe 33 elektrodave të ashtuquajtura ventrikulare.
Në raport thuhet se afati u ka skaduar edhe 19 stenteve pa ilaç të llojit (BMS) Omega, 11 stenteve pa ilaç (BMS) Multilink, 16 stenteve tjera pa ilaç (BMS) Liberte.
Fat të njëjtë kanë pasur edhe 11 balona të llojit “Non complient”, 2 balona të tipit Mawerick si dhe 5 balona të tipit Cutting. Afati u ka skaduar edhe 190 kateterëve të quajtur si “guiding kateter”.
Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e Kardiologjisë Invazive, Basri Sejdiu, mirëpo ai nuk ka pranuar të komentojë nëse edhe pas dy javësh ka ndryshuar ndonjë gjë në Klinikën që ka filluar të drejtojë.
“Gjendem në pushim vjetor dhe jam jashtë Kosove”, ka qenë e tëra që ka thënë Sejdiu, në një përgjigje përmes telefonit.
Materialet skaduan, pacientët u dërguan jashtë QKUK-së
Gjithë këto materiale shpenzuese kanë skaduar, në kohën kur Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj 63 punonjësve shëndetësorë, numri më i madh i tyre punonjës të Klinikës së Kardiologjisë. Ata akuzohen se duke e keqpërdorur detyrën zyrtare kanë abuzuar me pacientët që kishin nevojë për trajtimin e sëmundjeve invazive të zemrës. Pacientët, kështu ishin dërguar në institucionet private, kurse pagesat i ka kryer për ta Ministria e Shëndetësisë. Prokuroria beson që këta mjekë dërgonin pacientë pa nevojë në spitale private, vetëm që të përfitonin shuma parash duke dërguar pacientët në sektorin privat. Por, me gjithë problemet që janë shfaqur në Kardiologji, ku sasi e madhe e pajisjeve kanë skaduar, Kuvendi i Kosovës së fundi ka ratifikuar Marrëveshjen e kredisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës (si haumarrëse) dhe Unicredit Bank Austria AG (si huadhënës) për financimin e projektit: “Modernizimi i shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.Vlera totale e projektit që do të financohet përmes kësaj marrëveshjeje është 2.6 milionë euro dhe do të realizohet përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa përmes kësaj huamarrje do të sigurohen pajisje për modernizimin e shërbimit të Kardiologjisë Invasive, përkatësisht modernizimin e shërbimeve të diagnostikimit dhe trajtimit në këtë shërbim.