​ Biden i akuzoi Thaçin dhe Mustafën për zhvatje

Dukagjin Gorani, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë gjatë një interviste për “Zërin” se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, haptas i akuzoi për zhvatje presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa. Ai flet edhe për kërkesën e numrit dy të SHBA-ve që të miratohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe

Nuk ishte lehtë këto ditë të jeni kryeministër apo kryetar në Kosovë dhe ta dëgjoni nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, teksa haptazi ju akuzon për kapjen dhe zhvatjen e vendit tuaj. “Vërtet duhet pasur lëkurë të trashë për t’i qëndruar kësaj”, kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” anëtari i kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dukagjin Gorani, pak ditë pas vizitës që zhvilloi në Kosovë numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gorani thotë se mesazhi kryesor i z. Biden është se për qeverinë amerikane, armiku më i madh i Kosovës është pushteti i saj i korruptuar.

Sa i përket kërkesës së Biden-it që të miratohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Gorani thotë se nënpresidenti amerikan kërkoi vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë dhe përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për të cilën gjë, siç thotë ai, angazhohet edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

“ Qëndrimi i ‘Vetëvendosjes’ është se marrëveshjet që u nënshkruan për këto çështje në gushtin e vitit të kaluar i pengojnë dhe i dëmtojnë po këto procese, si dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit”, shprehet ai.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Gorani ka folur edhe për dorëheqjen e Adem Grabovcit nga funksioni i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, pas publikimit të skandalit të përgjimeve në media.

“Prej çfarë funksioni hoqi dorë, Adem Grabovci? Prej atij të ‘shefit të shefave’? Ai nuk ishte funksion publik, por vetëm detyrë formale të cilën ia kishte caktuar ish-shefi i partisë. Pra, Grabovci u dorëhoq nga detyra formale, jo nga posti me përgjegjësi i deputetit, apo nga funksioni partiak i anëtarit të kryesisë së PDK-së”.

Biden shkoi, problemet mbetën

Zëri: Z. Gorani, si e vlerësoni vizitën e zëvendëspresidentit amerikan në Kosovë, Joe Biden?

Gorani: Ishte edhe formale, edhe personale e familjare. Kjo pjesa formale u përmbledh me traditën protokollare të administratave amerikane, të rikonfirmimit të afërsisë me shtetet aleate në fillim dhe në fund të mandatit qeveritar. Pra, ishte edhe vizitë lamtumirëse e një politikani emblematik për Kosovën dhe Ballkanin dhe e një burrështetasi të rëndësishëm.

Sidoqoftë, Biden shkoi porse telashet tona mbetën. Qeverisja kriminale, shteti i kapur dhe marrëveshjet rrënuese vazhdojnë tutje. Fatkeqësisht, na mbetet neve që të angazhohemi në parandalimin e tyre; atë punë s’mund ta bëjë në vend tonin as qeveria amerikane e as z. Biden, pavarësisht vullnetit dhe qëllimeve të mira.

Interpretimi im i vizitës së z. Biden është ky: për qeverinë amerikane, armiku më i madh i Kosovës është pushteti i saj i korruptuar. Nëse i analizoni me kujdes, theksi i deklaratave të z. Biden bie kryekëput mbi qeverinë aktuale – këtu s’ka pikë dyshimi. Patjetër, Lëvizja “Vetëvendosje” pajtohet plotësisht me një konstatim të tillë dhe mbetet e përkushtuar të veprojë për t’i dhënë fund kulturës së zhvatjes publike dhe të papërgjegjësisë historike.

E kuptoj – pushteti aktual ka interpretim të kundërt të vizitës së nënpresidentit amerikan. Por, si edhe rëndom, bëhet fjalë për një mal arsyetimesh partiake, të dokrrave provinciale dhe shtrembërimeve propagandistike, andaj nuk ia vlen të diskutohet.

Nuk takoi opozitës, sepse ajo nuk e qeveris vendin

Zëri: Biden takoi vetëm presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa. Duke marrë parasysh faktin që më herët keni qenë pjesë e institucioneve të larta shtetërore, pse Biden-i nuk e takoi edhe opozitën?

Gorani: Në këso formati të vizitave mesazhet i përcillen kryekëput udhëheqjes së shtetit, e cila mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për qeverisje apo për – siç është rasti me Kosovën – për keqqeverisje në shkallë tashmë anekdotale. Përvoja më thotë se ishte vizitë qortuese ndaj një qeverie që u formua me përkrahje maksimale ndërkombëtare dhe e cila e keqpërdori atë me llogaridhënie minimale lokale.

Nuk ishte lehtë këto ditë të jeni kryeministër apo kryetar në Kosovë dhe ta dëgjoni nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara teksa haptazi ju akuzon për kapjen dhe zhvatjen e vendit tuaj. Vërtet duhet pasur lëkurë të trashë për t’i qëndruar kësaj.

Çdo interpretim tjetër i vizitës së z. Biden është fshehje e së vërtetës për gjendjen institucionale në vend. Patjetër, Qeveria amerikane ka të drejtë të pezmatohet me keqqeverisjen në Kosovë, meqë edhe vetë është e përfshirë në procesin e shtetndërtimit, i cili ka kohë që ka degjeneruar në hajni masive dhe krim klanor. Zoti Biden nuk e takoi opozitën meqë ajo nuk e qeveris vendin dhe – rrjedhimisht – nuk mund të qortohet për zhvatjen e tij. Ai i takoi përgjegjësit e zhvatjes.

“Zajednica” dhe demarkacioni bien ndesh me kërkesat ndërkombëtare

Zëri: Biden kërkoi nga institucionet e Kosovës që ta miratojnë Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Si do të duhej t’i përgjigjej opozita kosovare një kërkese të tillë të numrit dy të SHBA-ve?

Gorani: E vërtetë. Nënpresidenti amerikan kërkoi vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë dhe përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Për këtë angazhohet edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, qëndrimi i së cilës është se marrëveshjet që u nënshkruan për këto çështje në gushtin e vitit të kaluar i pengojnë dhe i dëmtojnë po këto procese, si dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit. Sot jemi më larg se kurdoherë nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë – e kjo është, mes tjerash, pasojë e modelit të gabuar që ka zgjedhur pushteti aktual për zgjidhjen e proceseve kaq të ndjeshme politike. Për më tepër, sot rrezikojmë edhe përkeqësim të marrëdhënieve me Malin e Zi, kryekëput për shkak të mosnjohurisë elementare të qeveritarëve tanë mbi shtrirjen territoriale të shtetit të cilin pohojnë se udhëheqin.

Shkurt, marrëveshjet e nënshkruara për “Zajednicën” dhe Demarkacionin bien ndesh me kërkesat ndërkombëtare për normalizim të rajonit. Ato janë produkt i injorancës së pashembullt të një pushteti të obsesionuar me përfitim personal përmes varfërimit nacional. Këtu, “Zajednica” është produkt i servilitetit të pushtetit tonë ndaj kërkesave hegjemoniste të Serbisë.

Duke qenë të përkushtuar për një proces të efektshëm politik dhe normalizues me Serbinë dhe rajonin, Lëvizja “Vetëvendosje” është kundër këtyre marrëveshjeve të dëmshme. Ajo angazhohet për parandalimin e zbatimit të tyre duke qenë e vetëdijshme për pasojat shumëvjeçare që do t’i shkaktojnë ato.

Mbetem i bindur se kurrë s’është vonë për ta filluar një projekt kuptimplotë të dialogut dhe të bashkëpunimit me fqinjësinë, të bazuar në reciprocitet, barazi dhe drejtësi. Por, këto marrëveshje nuk janë ai projekt. Janë e kundërta e tij.

Zëri: A mendoni se një pjesë e opozitës, apo edhe tri partitë opozitare, të ndryshojnë qëndrim pas një kërkese të tillë nga Biden?

Gorani: Mendojmë se stabiliteti afatgjatë në rajon mund të ndodhë vetëm nëse paraprakisht kemi drejtësi dhe barazi mes shteteve. Nuk mund të ketë stabilitet nëse tolerohen dhe lehtësohen planet e Serbisë për rikthim të kontrollit mbi territorin e Kosovës. “Zajednica” është pjesa kryesore e këtij plani shovinist. Andaj, pavarësisht deklaratave ditore të kujtdo, nuk mund të ndryshojmë qëndrim sepse këtu po rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë.

Në anën tjetër, “Zajednica” bie ndesh edhe me vetë natyrën multietnike të Republikës së Kosovës dhe me synimet integruese të Kushtetutës së saj. Formulimi aktual i “Zajednicës” është kundër shoqërisë së integruar, kundër shtetit qytetar dhe kundër trajtimit të barabartë të individit. Ajo e ndan vendin tonë në vija etnike për të pamundësuar integrimin edhe në të ardhmen. Si i tillë, duhet të parandalohet dhe të anulohet që t’i hapet rruga një procesi kuptimplotë të ndërtimit të një shteti të drejtësisë sociale dhe të barazisë etno-kulturore.

Nuk e shoh as tragjik e as të pamundshëm anulimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Tragjik do të ishte ratifikimi i tyre me të cilin ndasitë etnike do t’i shndërronte në standard shoqëror dhe në praktikë shtetërore për dekadat që vijnë. Kjo nuk guxon të ndodhë.

Zëri: Biden po ashtu kërkoi edhe luftimin e korrupsionit. A ishte kjo një porosi e qartë për drejtuesit e vendit, të cilët fajësohen për shkallë të lartë të korrupsionit në Kosovë?

Gorani: E përmenda më herët – por do ta përsëris me qejf. Pra, nuk është hera e parë që pushtetarët tanë akuzohen dhe qortohen haptazi – para syve – si fajtorë për krimet më të rënda ndaj shoqërisë së vet. S’do mend, gjithnjë më ka mahnitur aftësia e tyre që t’i bëjnë ballë e të mos skuqen në situata të tilla. Këtë e dalloj si karakteristikë të veçantë etike dhe psikike të tyre.

Ta kemi parasysh: luftimi i korrupsionit shtetëror/qeveritar ishte mesazhi kryesor i nënpresidentit amerikan. Dhe, ky mesazh nuk i referohej të kaluarës apo të ardhmes. I referohej qeverisjes së sotme. Rregullisht, në çdo deklaratë, qeverisja aktuale u identifikua si problemi madhor i shoqërisë sonë.

Përfundimisht, porosia e përmbledhur e nënpresidentit amerikan nënkuptoi se kjo qeverisje dhe ky pushtet duhet të marrin fund – dhe se heqja e tyre është obligim i kosovarëve. Mendoj se ishte porosi e pritshme, e kuptueshme dhe e arsyetueshme që vjen nga një superfuqi aleate.

T’i bëhet presion Serbisë

Zëri: Cili është komenti juaj për vizitën e Biden-it në Serbi dhe deklaratat publike që i bëri atje?

Gorani: Gjykuar nga interpretimet mediale dhe deklaratat zyrtare, edhe qeveria serbe e përjetoi një takim qortues, të shumtën për shkak të refuzimit që t’i implementojë marrëveshjet teknike me Kosovën. Synimi i qeverisë serbe për anëtarësim në BE duke e definuar Kosovën pjesë të saj në Kushtetutën e vendit është një tallje me standardet politike ndërkombëtare dhe ofendim i fqinjësisë. Kjo dyfytyrësi ideologjike e pushtetit serb nuk anashkalohet lehtë në këso takime të larta çfarë ishte edhe ky me z. Biden.

Sidoqoftë, Lëvizja “Vetëvendosje” apelon te shtetet perëndimore që ta shtojnë presionin mbi Serbinë për të hequr dorë nga agresioni politik e diplomatik mbi Kosovën. Është e padrejtë që Kosovës t’i kërkohet miratimi dhe zbatimi i marrëveshjeve që rrisin ndikimin e Serbisë brenda vendit tonë. Presioni duhet të bjerë mbi Serbinë, ashtu që kjo ta njohë pavarësinë tonë dhe të detyrohet në kërkimfalje e kompensim për dëmet dhe krimet ndaj shqiptarëve.

Shefi i shefave nuk ishte funksion publik, ishte detyrë formale

Zëri: Si e vlerësoni dorëheqjen e Adem Grabovcit, pas publikimit të aferës së përgjimeve “Pronto 2”?

Gorani: Nuk dëgjova që Adem Grabovci nuk qenka më deputet, apo se hoqi dorë nga funksionet publike e partiake. Nuk po e kuptoj këtë formulim naiv të “dorëheqjes” që sillet nëpër opinion publik. Grabovci vazhdon të mbetet deputet dhe zyrtar i lartë i PDK-së. Prej çfarë funksioni hoqi dorë? Prej atij të “shefit të shefave”? Ai nuk ishte funksion publik, por vetëm detyrë formale të cilën ia kishte caktuar ish-shefi i partisë. Pra, Grabovci u dorëhoq nga detyra formale, jo nga posti me përgjegjësi i deputetit apo nga funksioni partiak i anëtarit të kryesisë së PDK-së. Në situatën e tij – në vazhdë të publikimit të këtyre përgjimeve argëtuese – ai do të duhej ta shihte obligim ligjor dorëheqjen nga të gjitha funksionet që paguhen nga buxheti i shtetit. Ndërsa, si obligim moral do të duhej ta kuptonte dorëheqjen edhe nga funksionet partiake dhe jeta politike. Kjo do të definohej dorëheqje. Të tjerat janë përralla.

Zëri: Pse LDK, AAK dhe “Nisma” po heshtin karshi këtij skandali?

Gorani: Edhe pse do të spekuloja me dëshirë, do të përmbahem nga komentimi meqë është pyetje që i adresohet atyre subjekteve. Edhe mua do të më interesonte përgjigja e tyre.

Mirëpo, sa për përgjimet, të qartësojmë diçka. Ajo që po dëgjojmë këto ditë mund të tingëllojë e pabesueshme vetëm për atë që nuk ka kurrfarë njohurie për kulturën “shtetërore” të pasluftës në Kosovë. Ato përgjime që po publikohen s’janë tjetër veçse standard i rëndomtë i “sjelljes institucionale” gjatë këtyre 16 viteve. Praktika e tillë e makinacioneve partiake përmes komploteve telefonike filloi qysh me administratat ndërkombëtare më 1999 ndërkohë që qeverisjet vendore e degjeneruan deri në nivelin tragjikomik me të cilin po argëtohemi këto ditë të verës.