Deputetët e koalicionit s’i 'zmbrapsi' Biden-i
Kërkesa e zëvendëskryetarit të SHBA-ve, Joe Biden, për ta votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk i ka bindur as disa deputetë të koalicionit qeverisës.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka thënë për gazetën “Zëri” se në parim demarkacioni nuk përbën ndonjë problem për ta votuar, por, siç thotë ai, jo siç ka propozuar Komisioni qeveritar.
“Edhe unë jam për ta shtyrë përpara çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por jo një gjë e tillë të bëhet me dyshime”, ka thënë Muja, duke shtuar se edhe Biden nuk insiston që demarkacioni të votohet me dyshime.
Ai ka shtuar se duhet shqyrtuar pikërisht ato defekte të këtij versioni të paraqitur nga Komisioni Qeveritar, në mënyrë që të mos ketë probleme në të ardhmen në këtë drejtim.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, insiston se nuk duhet lidhur qëndrimi i deputetëve me mesazhet e Biden-it për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai ka shtuar se qëndrimin e tij për demarkacionin do ta bëjë të ditur përmes votës në seancën e 1 shtatorit. “Qëndrimi im ndaj demarkacionit me Malin e Zi do të deklarohet përmes votës në ditën e votimit”, është shprehur ai. Një tjetër deputete kundërshtuese nga radhët e LDK-së vazhdon të mbetet edhe Vjosa Osmani, e cila vazhdimisht ka deklaruar se nuk do ta votojë demarkacionin, të pakën jo në këtë formë siç është paraqitur.
Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj ka dyshime nëse koalicioni qeverisës i ka votat e nevojshme për ta miratuar demarkacionin. “Kam shpresuar që gjatë kësaj kohe koalicioni do të merret me sigurimin e votave, por kjo duket të mos ndodhë. Miratimi i demarkacionit nuk është edhe aq problem ndoshta, por çka pas ratifikimit. Ende pa u ratifikuar ne kemi një pasojë të polarizimit në skenën politike”, ka thënë Mushkolaj.