Rrethoja me pllaka metali, “barrikadë” që ndan Mitrovicën

Rrethoja me pllaka metali në cep të urës në pjesën veriore nuk është prekur të dielën. Atë e sigurojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i. Kjo “barrikadë”, tani e pas do ta ndajë veriun dhe jugun, njësoj sikurse barrikada me zhavorr e përforcuar me beton dhe “Parku i paqes” deri më tani

Të gjithë në Mitrovicë i janë gëzuar fillimit të punimeve në rivitalizimin e urës kryesore të Ibrit me shpresën se ajo do të lirohet plotësisht për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe të automjeteve, por kur është vërejtur se rrethoja me lastra e vendosur nga BE-ja në cepin verior të urës, ka mbetur pa u hequr e madje edhe duke u siguruar nga Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, qytetarët e shumtë mitrovicas kanë shprehur zhgënjimin dhe dyshimin se edhe kësaj radhe i janë bërë favore serbëve të veriut të Mitrovicës.

Rrethoja me pllaka të metalta në cep të urës në pjesën veriore, tani ndan veriun dhe jugun, ndërsa pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve, sikurse edhe barrikadat e deritashme.

Kompania “Jehona”, e cila ishte kontraktuar për t’i hequr rrethojat dhe barrikadën e gjelbër, të cilën serbët e kanë quajtur “Parku i paqes”, fillimisht i ka hequr rrethojat në cepin e urës në jug, si dhe ato anash, ndërkaq nuk i ka prekur fare rrethojat prej metali në cepin verior të urës, ndërkaq të hënën, punëtorët e kompanisë “Sintek-K-ing”, kanë vazhduar punimet për ndërtimin e rrugës skaj ure. Gazeta “Zëri” ka mësuar, serbët nuk kanë lejuar që të hiqet rrethoja, për të mos parë se çfarë po ndodh në urë, respektivisht për të mos parë makinerinë duke i larguar vazot me pisha dhe dheun e vendosur në urë nga pjesa veriore. Edhe BE-ja ka vendosur që të “miratohet” kërkesa e tyre, për arsye që serbët të mos irritohen.

Gjithashtu, sipas burimeve të gazetës, serbët nuk kanë lejuar që të hiqet rrethoja edhe për faktin se nuk duan të shihet nga jugu se çfarë është duke u punuar në pjesën veriore, respektivisht nuk duan t’i shohin punimet që kanë filluar për rivitalizimin e rrugës kryesore “Mbreti Petër”, e cila shtrihet deri te cepi i urës dhe e cila do të shndërrohet në zonë për këmbësorë.

Një serb i veriut të Mitrovicës, Dragan Radosavleviq, i ka thënë gazetës, të hënën, një ditë pas largimit të barrikadës mbi urën e Ibrit, se ai nuk ka parë asgjë duke u punuar në urë gjatë të dielës. Madje ai ka thënë se nuk ka parë as kur është larguar “Parku i paqes”. “E shihni, ne nuk shohim nga këtu se çfarë po punohet përtej rrethojave, bile as që di se janë duke u zhvilluar punimet për rivitalizimin e urës në pjesën jugore. Unë kam dëgjuar se ura do të hapet, por ne nuk po shohim asgjë”, ka thënë ai, duke drejtuar gishtin nga rrethoja me pllaka metali të vendosura në cep të urës nga ana veriore.

Në anën tjetër, qytetarët mitrovicas të pjesës jugore edhe më tutje shprehin optimizmin e tyre se ura do të hapet tërësisht për lëvizje të lirë të njerëzve dhe të automjeteve, ndonëse nuk shprehen shumë inkurajues me faktin se kompania për rivitalizimin e urës ka vepruar ndryshe me rrethojat në jug, e ndryshe me atë në veri. Ata thotë se është mirë që është larguar barrikada, ndërsa nuk shprehen të disponuar të flasin për rrethojën që ka mbetur në pjesën veriore të urës, e cila jo vetëm që nuk lejon lëvizjen e qytetarëve në atë pjesë, por nuk lejon as pamjen në pjesën veriore të Mitrovicës. Ata edhe më tutje, për të kaluar në pjesën veriore e shfrytëzojnë atë korridorin i cili u ishte lënë në posedim pas vendosjen së rrethojave në të katër anët e urës. Por tani ka një ndryshim, qytetarët e jugut mund të lëvizin dhe të shkojnë përgjatë gjithë urës deri te barrikada e metaltë, ndërsa aty duhet të kthehen majtas për të kaluar nëpër një derë, nga jugu në veri dhe anasjelltas.

Muhamet Haziri, banor i veriut të Mitrovicës, thotë se serbëve nuk është dashur t’u bëhen favore as në këtë mënyrë me rrethojat. “Nëse rrethojat janë hequr në të tri anët e urës, atëherë pse nuk janë larguar edhe në cepin e urës në veri. Sigurisht se serbëve u ka ardhur rëndë që të shohin vazot me pisha e dheun e vendosur në urë duke e larguar, por ata nuk duan që as ne t’i shohim duke punuar në atë pjesë. Ata në fakt nuk duan fare që shqiptarët të kenë shikim në atë pjesë. Kjo është një perde e metalit, të cilën serbët do të përpiqen ta lënë sa më gjatë aty”, thotë ai.

Sipas qytetarëve shqiptarë, lënia pa hequr e mburojës së metaltë në cepin verior të urës është një paralajmërim, se ura nuk do të hapet tërësisht për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Sylejman Shahini, student, shprehet i pakënaqur, ndërkohë përkujton se serbët nuk do të lejojnë qarkullimin e automjeteve në rrugët që çojnë në pjesën veriore të Mitrovicës. “Ju e dini tashmë çka ka thënë Rakiqi. Serbët do ta ndërtojnë zonën e këmbësorëve deri tek ura. Ne shqiptarët e jugut, kur të hapet ura do të mundë të shkojmë ose djathtas nëpër ‘Lagje të Boshnjakëve’, ose majtas nëpër Suhadoll. Këto rrugë i kemi pasur edhe përpara, vetëm se është dashur të kalojmë nëpër urën te stacioni i trenit dhe në urën alternative në Suhadoll”, shprehet ai me pesimizëm.