Mustafa: Kosova po rrezikon të humbasë miliona në arbitrazh
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, e cila është mbajtur të mërkurën, ka dhënë vërejtje para kabinetit të tij të ministrave, për proceset me të cilat po përballet shteti i Kosovës në arbitrazh. Duke thënë se shteti po ka humbje, Mustafa ka propozuar që në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të formohet një grup i cili do të merrej me punët e arbitrazhit
Tri rastet e fundit të arbitrazhit, ku nga shteti i Kosovës po kërkohet një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh, kanë mobilizuar kryeministrin e vendit Isa Mustafa, i cili në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, e cila është mbajtur të mërkurën, ka dhënë vërejtje para kabinetit të tij të ministrave, për proceset me të cilat po përballet shteti i Kosovës në arbitrazh.
Duke thënë se shteti po ka humbje, Mustafa ka propozuar që në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të formohet një grup i cili do të merrej me punët e arbitrazhit. Mustafa ka kërkuar vëmendje të veçantë për problemin e rasteve që po humben në gjykata të ndryshme dhe prej të cilave po dëmtohet Qeveria dhe buxheti i Republikës së Kosovës. “Para dhjetë ditësh kemi pasur vendimin lidhur me detyrimin që ne duhet ta paguajmë për pasaporta, rreth pesë milionë euro. Gjatë këtyre ditëve kemi problemin e AXOS-it dhe të procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me AXOS-in. Ka edhe shumë probleme dhe lëndë tjera, të cilat po zhvillohen këtu në Kosovë, pjesa dërrmuese e tyre po humbet ose po kontestohen dhe në të cilat buxheti mund të dëmtohet. Në këtë aspekt po i hapi problemet që ne të koordinohemi. E kemi tash ministren e Drejtësisë dhe një departament të Drejtësisë që merret me këto. Të bëjmë përpjekje maksimale që ta forcojnë dhe në qoftë se ka nevojë të sigurojmë edhe buxhet të veçantë që ai sektor të forcohet edhe me njerëz, sepse është më mirë që të paguajmë dhe të sigurojmë mjete për njerëzit tanë, në mënyrë që ata të aftësohen dhe të kenë njohuri ndërkombëtare për t’i mbrojtur këto lëndë, sesa gjithmonë të paguajmë arbitrazhe dhe ekspertë të jashtëm, edhe pse të tillë do të paguajmë”, ka thënë kryeministri Mustafa para kabinetit qeveritar.
Të shtohet përgjegjësia për humbjen e parave
Ai tha se në javët në vijim, është marrë vesh edhe me ministrin Stavileci, që t’i përfundojnë çështjet e zhvillimit të procedurave rreth AXOS, në mënyrë që ajo të mbrohet. “Por gjithsesi pastaj të shtojmë përgjegjësinë edhe për humbjen e parave me këto raste, për shkaqet, rrethanat, të cilat kanë sjellë deri tek ajo që ne tash rrezikojmë t’i humbim pesë milionë për pasaporta ose mund të rrezikojmë të humbim për proceset e tjera. Nuk është çështje që vetëm t’i mbrojmë, por është çështje edhe që të përcaktojmë përgjegjësinë dhe të kërkojmë përgjegjësi për çdo rast veç e veç”, tha kryeministri Mustafa. Gazeta “Zëri” ka raportuar se përmes arbitrazhit kompania “Axos” po kërkon rreth 50 milionë euro kompensim për ndërprerje të privatizimit të Telekomit të Kosovës. Rreth 44 milionë euro të tjera po i kërkon kompania “Z-Mobile” si kompensim nga Telekomi i Kosovës. Ndërkaq, së fundmi Gjykata Ndërkombëtare në Paris ka vendosur që Qeveria e Kosovës duhet t’ia paguajë shtypshkronjës austriake 5 milionë euro për ndërprerje të kontratës për shtypje të pasaportave.
Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se qeveritë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nuk i kanë kushtuar vëmendje nënshkrimit të kontratave me kompani të huaja, duke u sjellë pa asnjë dinjitet me paranë e taksapaguesve të Kosovës.
Lekaj: Korrupsioni e krimi po gërryejnë buxhetin
“Kjo tregon për paaftësinë e Kosovës në ruajtjen e buxhetit, se korrupsioni e krimi i organizuar po na e gërryen buxhetin e shtetit. Ka kohë që kemi dhënë paralajmërime për mënyrën se si shpenzohet paraja nga Qeveria. Skandali me pasaporta është vetëm njëri nga shumë shembuj se sa keq menaxhohet buxheti i shtetit. Përgjegjësi për këto lëshime duhet të japin llogari e drejtësia nuk duhet të vonojë që t'ua tregojë vendin gjithsecilit që guxon të sillet si padron i djersës së qytetarëve tanë, që janë të vetmet të hyra që mbajnë gjallë Kosovën”, ka thënë Lekaj.
Të kontaktuar për këtë çështje zyrtarë të MZHE-së nuk duan të japin shumë informacione. “Duke u bazuar në ndjeshmërinë e procesit ne do të jemi të rezervuar në deklarata publike në mënyrë që të mos ketë mundësi pala paditëse t’i përdorë apo t’i keqinterpretojë në dëm të Qeverisë së Kosovës këto prononcime. Ajo që mund të themi për këtë fazë është se seanca e radhës është më 19 gusht dhe ky proces është duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dërguar gazetës “Zëri”.
Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë së LVV-së, thotë se “Vetëvendosje” qysh moti ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me çështjen e privatizimit, veçanërisht kur kanë qenë fjala te asetet me rendësi jetike për ekonominë e vendit.
“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë me kohë pikërisht për rastin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, ku kompania e përzgjedhur për privatizim ishte kompania 'AXOS Capital', e cila tash po kërkon 50 milionë euro dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës për ndërprerje të privatizimit. Qysh atëherë, e patëm quajtur dhe patëm ofruar argumente e fakte se si AXOS është firmë fantome, që ka veç 2 punëtorë. E pikërisht një firmë fantome si AXOS, e cila pati ofertuar vetëm 277 milionë euro, sot po kërkon thuajse 1/5 e kësaj shume si dëmshpërblim, që tregon paaftësinë dhe joseriozitetin e Qeverisë sonë kur është fjala te nënshkrimi i kontratave të një rëndësie kaq të veçantë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këta politikanë që kanë qenë në gjendje që 75% të aksioneve të PTK-së t'i japin për 25 km asfalt, është e pritshme që të humbasin 50 milionë apo edhe 100 edhe në arbitrazh, sepse për këta njerëz nuk është qëllim mbrojtja e interesit publik, por interesat e tyre personale, familjare e partiake.
Por, në anën tjetër njohës të rrethanave ekonomike në vend kritikojnë Qeverinë për mungesë serioziteti. Ibrahim Rexhepi, nga organizata joqeveritare “Stras”, ka thënë se humbja e kontesteve gjyqësore, duke nënkuptuar edhe ato të Arbitrazhit, dëshmon për mungesën e përgatitjes dhe seriozitetit të institucioneve qeveritare e publike për të krijuar dhe për t'iu përmbajtur marrëdhënieve kontraktuale. “Duket sikur ato nuk duan ta kuptojnë se zbatimi i kontratave është i detyrueshëm dhe se gjykatat ndërkombëtare janë tejet rigoroze dhe të pamëshirshme ndaj shkelësve të kontratave. Ndërkaq, nënshkruesit e kontratave nga Qeveria e Kosovës po mendojnë se ato punojnë sikurse gjykatat në Kosovë, të cilat iu nënshtrohen presionit dhe kërkesave që vijnë nga individët me ndikim në pushtet, por edhe të mafiozëve të ndryshëm”, ka thënë Rexhepi për gazetën “Zëri”. Sipas tij, Kosova ende qëndron shumë keq sa i përket sigurimit, zbatimit të kontratave, pikërisht pse ende ajo nuk po kuptohet si një dokument detyrues dhe se për mospërmbajtjen saj paguhen penalltitë (ndëshkimet). “Ne rastin e pasaportave së fundi ndëshkimet i paguan qytetari i Kosovës”, ka thënë më tej Rexhepi.