Tri javë “armëpushim” për demarkacionin
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të votohet në seancën e 1 shtatorit. Partnerët e koalicionit qeverisës i kanë dhënë mbështetje Marrëveshjes, derisa opozita ka paralajmëruar masa radikale për pengimin e saj
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk do të votohet deri më 1 shtator. Kështu ka vendosur dje Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare. Partnerët e koalicionit qeverisës shpresojnë se kjo Marrëveshje do të ratifikohet më 1 shtator, ndërsa subjektet opozitare kërkojnë që kjo Marrëveshje të hidhet poshtë në mënyrë që Kosova të mos i humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.
Në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për përcaktimin e datës së seancës për demarkacionin, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kryesisë duke e ndërprerë mbledhjen. Konjufca më vonë është arrestuar për këtë veprim.
Pas hedhjes së gazit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sipas të cilës është thellësisht zhgënjyese, saktësisht në kohën kur Kosova e ka mundësinë që të shfaqë anën pozitive para botës përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Olimpiadë, të shohësh rikthimin e ciklit të dhunës. “Procesi demokratik në Kosovë nuk mund të përmbajë sulme ndaj Kuvendit, gazin lotsjellës brenda tij dhe kërcënimet me bomba ndaj udhëheqësit të Komisionit për shënimin e kufirit. Fatkeqësisht, kjo është pamja që po e tregon Kosova para botës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Ambasadës.
“Ambasada amerikane përkrah në tërësi institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë që të hetojnë këto ngjarje. Ne bëjmë thirrje për rikthim në funksionimin paqësor të të gjitha institucioneve demokratike të Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.
PDK dhe LDK mbështesin demarkacionin
Lajmin për caktimin e datës së votimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ndërsa partia të cilën e drejton Veseli, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrim për mbështetjen e kësaj Marrëveshjeje.
Kryesia e PDK-së ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, pas diskutimeve konstruktive dhe dëgjimit të të gjitha argumenteve për procesin e shënjimit të vijës kufitare ka vendosur unanimisht që të përkrahë miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Konsolidimi i shtetit, partneriteti me ShBA-në e BE-në dhe përshpejtimi i proceseve integruese për qytetarët tanë, është me rëndësi jetike për të ardhmen tonë perëndimore. Shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është një detyrim kushtetues dhe obligim ndërkombëtar që kontribuon drejtpërdrejt në konsolidimin e sovranitetit, në integritetin territorial dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka përkrahur miratimin e marrëveshjes së demarkacionit nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.
"Ishte qëndrim i përbashkët se ky proces, i argumentuar dhe i përkrahur fuqishëm edhe nga miqtë ndërkombëtarë, i hap rrugë proceseve eurointegruese, liberalizmit të vizave, transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, fuqizon shtetësinë dhe sovranitetin territorial të Kosovës, forcon partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e BE-së", thuhet në njoftimin për media të kryesisë së LDK-së.
Ymeri: Demarkacioni nuk bën të ratifikohet
Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se ky subjekt politik do të përdorë forma kreative për ta parandaluar ratifikimin e Marrëveshjes së 26 qershorit 2015.
“Do të organizojmë protesta dhe kundërshtime për ta penguar ratifikimin e saj. Natyrisht ne do të vazhdojnë kundërshtimin tonë dhe do të përdorim metoda kreative për ta parandaluar ratifikimin e Marrëveshjes. Por një gjë duhet pasur parasysh e ajo është që kjo Marrëveshje të ratifikohet assesi”, është shprehur Ymeri, duke thënë se krerët institucionalë nuk janë duke i dëgjuar argumentet e shumta që po i japin ekspertët për gabimet që janë bërë në këtë Marrëveshje.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u kanë kërkuar deputetëve që të mos e votojnë versionin aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, pasi sipas tij, me këtë Marrëveshje Kosova i humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Kurse, kreu i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga Qeveria që të mos ngutet me procedim të këtij plani, për t’i dhënë mundësi edhe një herë rishikimit.
AAK dhe “Nisma” kanë paralajmëruar se do t’i ndërmarrin të gjitha masat, përfshirë edhe ato radikale, për të penguar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.