Medalistët olimpikë

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë fituar kurrë medalje olimpike. Kosova do ta kërkojë të parën qysh në debutim dhe të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe Shqipëria. Mirëpo, historia olimpike i njeh disa sportistë shqiptarë që kanë arritur të fitojnë medalje, të cilat kanë përfunduar në shtete tjera

Majlinda Kelmendi shihet si shpresa kryesore për t’ia sjellë Kosovës medaljen e parë olimpike, qysh në debutimin historik. Kurse, Luiza Gega është shpresa më e madhe e Shqipërisë për ta fituar medaljen historike në “Rio 2016”. Edhe pse dy vendet shqiptare asnjëherë nuk kanë fituar medalje, historia e Lojërave Olimpike i njeh disa shqiptarë që kanë lënë gjurmë nëpër olimpiada, duke fituar medalje. Por, sukseset e tyre kanë pasuruar shtetet tjera.

Aziz Salihu, i bronzti i Olimpiadës së Los Angelesit

Aziz Salihu është njëri prej sportistëve më të mëdhenj shqiptarë. Legjenda e boksit e kishte shkruar emrin e tij në historinë olimpike qysh në vitin 1984, kur e pati fituar medaljen e bronztë në Olimpiadën e Los Angelesit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Aziz Salihu e pati përfaqësuar ish-Jugosllavinë. Ai ishte mposhtur në Olimpiadën e Los Angelesit në gjysmëfinale nga Tyrell Biggs, por e kishte fituar duelin për medalje të bronztë. Salihu po ashtu kishte marrë pjesë në Olimpiadën e Moskës në vitin 1980 dhe në atë të Seulit në vitin 1988, ku ishte eliminuar në çerekfinale.

Salihu kishte fituar medalje pothuajse në të gjitha evenimentet e rëndësishme të boksit ku kishte marrë pjesë. 62-vjeçari Salihu, i lindur më 1 maj 1954 në Prishtinë, vite më parë ishte zgjedhur sportisti i shekullit në Kosovë, të cilës me gjasë do t’ia dedikojë medaljen që e kishte fituar në kohën e ish-Jugosllavisë.

Luan Krasniqi, medalje olimpike për Gjermaninë

Përpos Aziz Salihut, është edhe një tjetër boksier i lindur në Kosovë që ka shijuar medalje olimpike. Fjala është për Luan Krasniqin, që pati karrierë brilante në boksin profesionist. Boksieri junikas e kishte fituar medaljen e bronztë në boksin amator, në Olimpiadën e Atlantas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1996. Ai e kishte përfaqësuar Gjermaninë dhe kjo medalje zyrtarisht u takon gjermanëve.

Shaban Tërstena, medalisti i parë i artë

Në të njëjtën Olimpiadë me Aziz Salihun, i suksesshëm ishte treguar edhe Shaban Tërstena. Madje, mundësi shqiptar nga Maqedonia, i cili po ashtu e kishte përfaqësuar ish-Jugosllavinë, e kishte fituar medaljen e artë olimpike në Olimpiadën e Los Angelesit në vitin 1984. Deri tash, askush nuk ka mundur t’i afrohet suksesit të Tërstenës, i cili e kishte fituar medaljen e argjendtë edhe në Olimpiadën e Seulit, në vitin 1988. Gjithashtu, vlen të theksohet se Tërstena është sportisti më i ri në histori të Olimpiadës që e fiton një medalje të artë. Ai ishte vetëm 19 vjeç në atë kohë. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, medaljet e tij i kanë shkuar Maqedonisë.

Shaban Sejdiu, i bronztë në Olimpiadën e Moskës dhe Los Angelesit

Një tjetër sportist i suksesshëm shqiptar nga Maqedonia. Bëhet fjalë për Shaban Sejdiun, i cili kishte fituar medalje të bronztë në Olimpiadën e Moskës dhe të Los Angelesit. Njëherësh, ish-mundësi shqiptar është babai i këngëtares së njohur, Altuna Sejdiu – Tuna.

Piro Dhima, shqiptari që i solli katër medalje Greqisë

Piro Dhima është një tjetër shqiptar që e ka shijuar aromën e medaljes olimpike. Por, edhe ai, një gjë të tillë e ka bërë duke e përfaqësuar një vend tjetër. Mundësi shqiptar e ka fituar medaljen e trefishtë të artë olimpike, në “Barcelona 1992”, “Atlanta 1996” e “Sydney 2000”, derisa në “Athina 2004” e kishte fituar medaljen e bronztë.

Shaban Terstena, medalisti i parë