Ndryshimet kushtetuese, jashtë agjendës
Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) nuk mund të bëhet pa një kompromis gjithëpërfshirës. Partitë serbe në Kosovë thonë se nuk kanë marrë asnjë “ofertë” për konsensus. Ndërkohë, nuk është bërë as ndonjë analizë për ndryshimet kushtetuese, që do të bazohej në praktikat dhe standardet evropiane
Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës mund të bëhet vetëm me një kompromis gjithëpërfshirës politik.
Por, njohës të çështjeve kushtetuese në vend, thonë se skena politike në Kosovë, duhet përfundimisht të vetëdijesohet se në çfarë ambienti ligjor dhe kushtetues është sjellë vendi përmes kompromiseve që në ndërkohë janë kthyer edhe në pengesa jetike për ndërtimin e institucioneve.
Kujtim Kërveshi, avokat kosovar dhe njohës i çështjeve juridike, ka thënë për “Zërin” se në realitetin juridik të krijuar në Kosovë, çështjet jetike mbeten peng i krijimit të numrave të mëdhenj për të realizuar ndryshimet kushtetuese. Këto të fundit konsiderohen tepër të rëndësishme për një varg procesesh në Kosovë, FAK-un, Reformën zgjedhore, ASK-në...
Kërveshi, ndërkaq, konsideron se mund të jetë i vështirë krijimi i institucioneve siç është Forca e Armatosur e Kosovës pa një kompromis gjithëpërfshirës.
“Shpresoj se skena politike ka filluar të vetëdijesohet se çfarë ambienti ligjor dhe kushtetues ka krijuar në Kosovë përmes kompromiseve që tani kthehen në pengesa jetike për ndërtimin institucional të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kërveshi.
Në një alternativë të tillë, për të siguruar numrat e nevojshëm ai ka shtuar se është i domosdoshëm një akordim i deputetëve të tjerë përfshirë edhe atyre që nuk përbëjnë votën e koalicionit qeverisës.
Ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme
Për sa i përket nevojës për ndryshime kushtetuese, Kërveshi ka thënë se ato janë të domosdoshme për të krijuar edhe qartësi më të madhe dhe siguri juridike jo vetëm për shkak të domosdoshmërisë se një amendamenti kushtetues siç është formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Megjithatë, ai ka frikë se në një situatë kur akoma janë të hapura temat mes pozitës dhe opozitës siç është ajo e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, si dhe ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, atëherë bllokimi i çështjes së FAK-ut nga lista serbe e bën këtë proces edhe më të ndjeshëm politikisht.
Koalicioni qeveritar, në këtë situatë, sipas Kërveshit, mund të mos jetë në gjendje të sigurojë përkrahjen e partnerit qeveritar Lista Serbe pa i ofruar kushte të favorshme në përfshirje të pjesëtarëve të komunitetit që ajo listë përfaqëson brenda strukturave të larta të FAK-ut.
“Shpesh edhe me përfshirjen e dy të tretës së deputetëve të komuniteteve tjera të cilat, se paku komuniteti serb i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës përmes Listës Serbe koordinimin e njëjta e bën me Beogradin si qendër e vendosjes dhe jo me vetë Prishtinën në Qeverinë e së cilët është pjesë”, ka thënë avokati Kërveshi.
Në anën tjetër, ai është shprehur skeptik nëse në një ngërç të tillë të partneritetit për tema të rëndësishme në mes pozitës dhe opozitës dhe pa aprovimin e temave të hapura tashmë është i mundshëm një konsensus politik pa kompromise të reja.
“Andaj, para se çështja të referohet në Kuvend, një konsensus është i domosdoshëm, se cili do të jetë bilanci i kompromisit të tillë dhe se a do të shkëmbehen ‘favoret’ në veçanti me komunitetin pakicë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës mbetet të shihet në vijim të zhvillimit të ngjarjeve jo vetëm rreth themelimit të FAK-ut, por edhe temave tjera jetike për institucionet dhe territorin e Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Riza Smakaj, njëri nga anëtarët e komisionit që ka hartuar Kushtetutën e Kosovës, ka thënë se me kohë është vërejtur se ka nevojë për të bërë ndryshime të konsiderueshme kushtetuese.
“Patjetër që do të duhej të krijohet një bazë kushtetuese për Forcat e Armatosura”, ka thënë Smakaj.
Sa u përket kompromiseve me partitë serbe për këtë çështje, ai ka thënë se pazaret politike janë të imponuara, kur bëhet fjalë për FAK-un apo edhe për Asociacionin e komunave serbe.
Por, para se të bëheshin çfarëdo kompromisesh, Smakaj ka thënë se do të duhej që të hapej debat dhe të shkohej edhe në bisedime dhe të jepeshin propozime të logjikshme, racionale që edhe kundërshtarët të mos kenë bazë të fuqishme për t’i kundërshtuar.
Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se ndryshimet dhe plotësimet në aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës duhet të vijnë si rezultat i një analize të thellë, bazuar në praktikat dhe standardet evropiane, duke u bazuar gjithnjë në kontekstin e zhvillimeve shoqërore në vend.
“IKD vlerëson se ka nevojë për ndryshime dhe plotësime, por ato duhet të bëhen në një proces, i cili kërkon analizë të thellë, të cilën deri më tash politikëbërësit qeveritarë nuk kanë pasur vullnet ta bëjnë në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Miftaraj.
Rekomandimi kryesor i IKD-së, thotë ai, ndërlidhet me nevojën për të bërë një rishikim të pakos së ligjeve të gjyqësorit dhe rishikim të tërësishëm të drejtësisë penale në Kosovë.
“Kjo do të mundësonte rritjen e pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë dhe gjithashtu do të mundësohej zbatimi efikas dhe i efektshëm i legjislacionit që ndërlidhet me sistemin e drejtësisë dhe drejtësinë penale”, ka thënë Miftaraj.
Qeveria nuk ka bërë analizë për ndryshimet kushtetuese
Ky rishikim, siç thotë Miftaraj, do të nxirrte në shesh edhe nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës.
“Tash për tash, kjo analizë mungon dhe kjo po i kushton sistemit të drejtësisë dhe gjithë qytetarëve me mungesë të qasjes në drejtësi në kohë të arsyeshme dhe në përputhje me standardet e garantuara ndërkombëtare”.
Gjatë hulumtimeve të zhvilluara, IKD-ja edhe ka rekomanduar ndryshime kushtetuese konkrete. Një ndër to është amendamenti ku parashihet mandati fillestar për gjykatës dhe prokurorë.
“IKD-ja i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të heqë mandatin fillestar dhe emërimet të jenë të përhershme me rastin e dekretimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Kjo do të krijonte një pavarësi dhe siguri më të madhe për gjykatësit dhe prokurorët”, ka thënë Miftaraj.
E për Smakajn, ndryshime duhet bërë edhe në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, presidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me të gjeturat e auditorit të përgjithshëm.
Ai ka thënë se në zgjedhjen e presidentit praktikohen tri votime. Në votimin e fundit, sipas tij, shumica do ta votojnë pro edhe nëse bindjen do ta kishin ndryshe.
“Nëse do të votonin ndryshe, do të shpërbëhej Kuvendi dhe të njëjtit deputetë nuk janë të sigurt që do të rizgjidheshin”, ka thënë Smakaj.
E Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste, pjesë tashmë e Listës serbe, ka thënë se askush nga Qeveria deri më tani nuk ka pasur biseda as formale e as joformale në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
“Qe gjashtë muaj që janë aktualizuar këto tema, deri në këtë moment asnjë bisedë nuk e kemi pasur”, ka thënë Rashiq.
Ai ka shtuar se deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë iniciativë nga subjektet kryesore qeverisëse në vend, për të përgatitur kushtet për një konsensus.
I pyetur nëse “konsensusi” në këtë rast nënkupton gatishmërinë e partive serbe në Kosovë për të votuar krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në këmbim të ndonjë favori tjetër, Rashiq ka thënë se ai si deputet i vetëm nuk ka mundësi të vendosë në lidhje me këtë çështje, por si kryetar i partisë thotë se është i gatshëm të japë propozime konkrete.