Bulliqi: Qeveria t’ua dërgoj deputetëve materialin për demarkacionin

Bulliqi: Qeveria t’ua dërgoj deputetëve materialin për demarkacionin

Aktuale korrik 15, 2016 - 18:38

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi ka thënë për “Zërin” se vendimi i Kryesisë së Kuvendit për të organizuar tryezë diskutimi për demarkacionin është vendim i mirë, por që sipas tij ka mundur të bëhet shumë kohë më parë.

“Është mirë që më në fund Kuvendi reflektoj që të krijoj kushte për t’u biseduar për këtë cështje, mirëpo mendoj që është një hendikep shumë e madhë shtyerja e deritanishme nga e ana e Qeverisë dhe e Kuvendit ky diskutim, kur ka qenë e mundur që shumë kohë më parë të bëhet një debat i tillë”, ka deklaruar Bulliqi.

LEXO EDHE: Urdhëresë për gërmime edhe për një vend në kampusin e UP’së

Profesori i Departamentit të Gjeografisë, më tej ka thënë se deputetët para mbajtjes së kësaj tryeze do të duhej t’i kishin materialet për demarkacionin, në të kundërtën kjo sipas tij do të paraqes hendikep për deputetët.

“Prapë se prapë deputetët do të jenë të hendikepuar për faktin që ata nuk e kanë materialin për demarkacion. Qeveria e Kosovës e ka pas për obligim që të paktën edhe nëse nuk e dërgon në Kuvend zyrtarisht këtë material, atëherë t’ua dërgoj deputetëve këtë material dhe që ata të mund ta lexojnë dhe ta krijojnë bindjen për këtë proces”, ka potencuar Bulliqi.

Në fund, ai ka thënë se ka filluar një fushatë mediatike përmes së cilës, disa “ekspertë” po mundohen të krijojnë bindje tek opinioni se gjithçka është në rregull.

“Ka qenë momenti që Qeveria ta bëjë miratimin e këtij dokumentacioni, meqë është kaq shumë e bindur se është në rregull dhe ta sjellë në Kuvend në mënyrë që deputetët ta vlerësojnë. E jo të veprohet në këtë formë që realisht e ka prolonguar tërë procesin. Kështu po krijohet përshtypja se është një lloj blerje e Kosovës dhe nga sonte ka filluar një ofanzivë përmes mjeteve të informimit me lloj lloj eksperti në thonjëza, të cilët po mundohen të krijojnë bindje për opinionin publik”, ka përfunduar Bulliqi.

Përndryshe ideja për organizimin e kësaj tryeze ka qenë e deputetit Shpejtim Bulliqi, të cilën ide e kanë mbështetur edhe 24 deputetë të tjerë. /ZËRI