Koalicioni, mospajtime për demarkacionin

Aktuale korrik 13, 2016 - 08:10

Qeveria e Kosovës e ka anuluar mbajtjen e mbledhjes që pritej të mbahej të mërkurën, ku do të vendosej për ta proceduar për në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ky vendim është marrë pasi partneri i madh i koalicionit (PDK) ka kërkuar që Qeveria të mos ngutet. Ndërsa, LDK-ja dje pasdite ka mbajtur mbledhje urgjente

Qeveria e Kosovës as të mërkurën nuk do ta procedojë për në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ekzekutivi i vendit, me kërkesë të kryeministrit e ka anuluar mbajtjen e mbledhjes për të mërkurën, në të cilën pritej të merrej vendimi për ta dërguar në Kuvend Marrëveshjen e 26 gushtit 2015.
Ky anulim ka ndodhur pas kërkesës së partnerit të madh të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkon nga ekzekutivi që të mos ngutet me procedimin e kësaj çështjeje. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se kjo çështje është e ndjeshme dhe se shkon përtej interesave partiake, prandaj ai thotë dhe se Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme dhe t’i shterë të gjitha mundësitë për këtë çështje dhe pastaj ta dërgojë për ratifikim në Kuvend.
“Tash kur jemi në këto rrethana të reja, pas gjithë këtij politizimi të skajshëm që i është bërë kësaj çështjeje, unë e vlerësoj që Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme kur do ta sjellë në Kuvend këtë çështje dhe duhet t’i shtjerrë disa mjete që janë në dispozicion dhe duhet ta gjejë kohën e duhur se kur është koha më e përshtatshme për të ardhur në Kuvend”, është shprehur Grabovci.

Demarkacioni, takohet kryesia e LDK-së

Në anën tjetër zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka konfirmuar për “Zërin” se është shtyrë mbledhja e ekzekutivit e paraparë për të mërkurën, mbledhje kjo në të cilën pritej që Marrëveshja për Demarkacionin të procedohet për në Kuvend. Pas anulimit të mbledhjes së Qeverisë, LDK-ja ka mbajtur dje mbledhje urgjente, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i partisë dhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
Pas përfundimit të këtij takimi në LDK, Abrashi ka deklaruar për media se ka qenë një takim i kryesisë së partisë rreth zhvillimeve të fundit politike në vend dhe, sipas tij, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi shumë shpejt do të shkojë në Kuvend. “Është biseduar se për këtë çështje duhet ende debat me deputetët në Kuvend, por edhe me palë të tjera”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, shtyrja e procedimit të Demarkacionit nuk do të thotë se koalicioni nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend, por, siç ka thënë ai, koalicioni ka partneritet të plotë, ndërsa opozita i ka kauzat e veta. Ai po ashtu ka bërë të ditur se në këtë takim të zyrtarëve të LDK-së është diskutuar edhe për punën e ministrave në Qeverinë e Kosovës.

Opozita do të vazhdojë kundërshtimin

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se ky subjekt politik do të vazhdojë kundërshtimin, por nuk ka bërë të ditur nëse do të pajtohen apo jo që të ketë debat për demarkacionin në seancën kur kjo çështje do të jetë në rend dite.
“Ne do të vazhdojmë aktivitetet tona pa kompromis, por formën e aktiviteteve do e bëjmë publike në ditët në vijim”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se bojkotimi i punës së Kuvend nga deputetët e kësaj partie do të përfundojë në momentin që demarkacioni futet në rend dite në ndonjërën nga seancat e radhës, në mënyrë që, sipas saj, Marrëveshja e 26 gushtit 2015 të kundërshtohet fuqishëm.
“Ne kemi deklaruar që në momentin që ata e sjellin Marrëveshjen për ratifikim në Kuvend ne ‘Nisma’ do të kthehet në atë seancë për ta kundërshtuar fuqishëm pasi që jemi të bindur që kjo Marrëveshje do ta cungojë territorin e shtetit dhe si e tillë është e papranueshme”, ka potencuar Bajrami, duke thënë se shpreson që kësaj radhe deputetët e koalicionit qeverisës ta mbajnë fjalën e dhënë publikisht që nuk do ta votojnë këtë Marrëveshje dhe të mos bien pre e kërcënimeve që të votojnë pro ashtu siç kanë vepruar edhe në disa raste, sipas deputetes Bajrami.
E pyetur se a do të pranojnë që të zhvillohet debati në Kuvend, apo do ta pengojnë edhe debatin edhe votimin e Marrëveshjes, ajo ka thënë se për këtë çështje të njoftojnë kur demarkacioni të jetë në rend dite.
“Ne ende nuk kemi informatë të saktë se kur do të mbahet seanca, por në momentin që do ta kemi një informatë se kur do të mbahet seanca do të ju njoftojmë edhe për hapat e kundërshtimit tonë”, ka shtuar Bajrami.
Kurse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, pasi, sipas tyre, kjo parti e ka bërë të qartë tashmë qëndrimin kundër mbajtjes së seancës për demarkacionin.