Lekaj, deputetëve: Jo demarkacionit

Lekaj, deputetëve: Jo demarkacionit

Aktuale korrik 12, 2016 - 11:35

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, u ka bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë versionin aktuale të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Lekaj në profilin e vet në “Facebook”, ka kërkuar nga kolegët e tij, deputetë, që t’i lënë anash interesat e politikës ditore.
 
Postimi i plotë i Pal Lekajt:
 
Te nderuar kolegë deputetë, ajo çka është interes kombëtar as që do të duhej të negociohet.

Në fillim koalicioni u arsyetua, se janë bashkuar për të mirën e Kosovës, por doli se u bë thjeshtë për interesa personale...e ato po ju ndryshojnë çdo ditë...nëse është ndryshe, të na tregojnë një vendim e nënshkrim, në të mirë të Kosovës.

Kolegë deputetë, gjykoni drejt, për hir të interesave Kombëtare, lërini anash interesat e politikës ditore. Mos tentoni të mbani pushtetin duke ju përshtatur të tjerëve, por bëjeni këtë duke qenë në anën e popullit dhe territorit të vendit, për çka edhe jeni betuar.

LEXO EDHE: E konfirmon Qeveria: Marrëveshja për Demarkacionin këtë javë në Kuvend

Nëse sot mendoni se duke e ratifikuar një marrëveshje të dëmshme për vendin, do të qëndroni gjatë në pushtet, ndoshta në kuptimin politik edhe keni të drejtë, por natyra i ka rregullat e saj, e kur s'do të jeni më as në kolltukët e pushtetit e as në këtë jetë... gjeneratat do t'u gjykojnë për tradhtarë, me të drejtë.

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion, do të jetë më shumë se gabim do të jetë krim. Çdo vendim në favor të saj, vetëm sa do ta përkeqësojë rrezikun për diçka edhe më keq.

Kolegë deputetë, logjika e ftohtë e politikës, kërkon që politikanët edhe pasurinë ta sakrifikojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, ju po veproni në të kundërt.

Mos na i vërtetoni dyshimet tona, se ju nuk mund te funksiononi ndryshe pos mbi mashtrimin, dhunën dhe thyerjen e premtimeve. Na tregoni se keni edhe virtyte të mira.

Bëjeni njëherë në jetën tuaj për Kosovën, atë që keni bërë gjithmonë për veten...pasurojeni, zhvillojeni dhe mbrojeni atë.

E keni rastin, thojini jo Demarkacionit!