Dëshmi për keqpërdorime me listat e OVL të UÇK për regjistrim e studentëve në UP (Video)

Dëshmi për keqpërdorime me listat e OVL të UÇK për regjistrim e studentëve në UP (Video)

Aktuale dhjetor 03, 2014 - 20:54

Shoqatat e luftës mund të konsiderojnë se kanë të drejtë, por një hulumtim i RTK-­së sjell fakte rreth keqpërdorimeve që po bëhen gjatë regjistrimit të studentëve nga listat e dërguara nga OVL e UÇK­.

Ekipi i RTK-­së sjell argumente për regjistrimin e disa studentëve që në fakt nuk janë fëmijë të dëshmorëve, invalidëve apo veteranëve të luftës.

Në afatin e parë të provimit pranues janë pranuar mbi 120 studentë, emrat e të cilëve iu dorëzuan Rektoratit të UP-­së nga Organizatat e dala nga lufta. Lista u dorëzua pa u argumentuar nëse kandidatët janë fëmijë të kategorive të dala nga lufta. Kjo çështje ka nxitur dyshime të mëdha.

Ndër të tjera, listat janë dorëzuar pa emrat e prindërve të kandidatëve që është e vështirë të verifikohet. Bazuar në këtë fakt, RTK ka bërë një hulmtim ku më shumë se 7 studentë (emra të njohur për redaksinë) vetëm në Fakultetin e Mjekësisë nuk korrespondojnë me të dhënat se janë fëmijë të dëshmorëve. Këto i konfirmojnë në kushte anonimiteti edhe zyrtarët e lartë të rektoratit.

Njëri nga kandidatët tashmë student i Fakultetit të Mjeksisë me iniciale E.J (emër i njohur për redaksinë) në numrin kontaktues që ka lënë në UP, del të jetë i një femre. Ajo prezantohet si prokurore dhe nuk jep detaje lidhur me studentin në fjalë. Ndërkohë në rektorat thonë se studenti në fjalë besohet se prindërit i ka të gjallë!

Një rast tjetër në vend të studentit M.H lajmërohet axha i tij. Ai thotë se nipi i tij e ka nënën e vrarë. Për mënyrën e regjistrimit të nipit të tij ai na rekomandon që të pyesim shoqatat e OVL- UÇK­së. Ndërkohë sugjeron gazetarët që të mos merren me këtë çështje.

Studentja tjetër A.Z thotë se prindin e ka dëshmor megjithatë nuk mundet ta dokumentojë pasi është e birësuar nga xhaxhai i saj dhe jo në emër të prindit biologjik që është dëshmor. Ajo e pohon faktin që megjithëse e paargumentuar ka përfituar të drejtën për tu regjistruar në fakultet në emër të xhaxhait.

A.GJ ka deklaruar se nënën e ka dëshmore ndërkohë sipas burimeve në Rektorat nëna e tij është gjallë dhe punon në një insitucion publik! Ky fakt është vërtetuar nga zyrtarët e Rektoratit të cilët janë në kërkim të dëshmive nga OVL­ UÇK.

M.P ka deklaruar se vëllai i saj është dëshmor ndërkohë sipas verifikimeve që ka bërë UP­-ja pohimet e saja janë të sajuara pasi studentja në fjalë nuk ka mundur ta dëshmoj atë.

Një studente tjetër me iniciale G.RR thotë se ajo kishte përmbushur pikët e kërkuara ne test por, për shkak të konkurrencës nuk ka arritur të regjistrohet dhe më pas ajo është drejtuar tek shoqatat e dala nga lufta pasi është mbesa e një dëshmori.

Mungesa e argumentimit të listave të dërguara nga organizatat e dala nga lufta ka bërë që rektori Ramadan Zejnullahu të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të regjistrimit të studentëve deri në kohën e verifikimit të dokumentacionit. Ai për RTK-­në, ndonëse jo para kamerës ka thënë se çdo fëmijë i dëshmorit, invalidit dhe atyre që meritojnë do ta gëzojë të drejtën e shkollimit por, jo edhe ata që keqpërdorin këtë të drejtë.

Xhavit Jashari përfaqësues i OVL ­UÇK-së në Prishtinë nuk e përjashton mundësinë e manipulimit të ndonjë rasti por kërkon me ngulm që listat e dërguara të pranohen nga UP-­ja. Ai thotë se rektori duhet të bëjë kërkesë zyrtare dhe OVL­ UÇK-ja do të bëjë verifikimin e çdo kandidati të dyshimtë.

Ndërsa, zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë thonë se përgjegjësi e fakultetit është vetëm vlerësimi i pikëve dhe asgjë më shumë.

Shoqatat e dala nga lufta bazuar në një marrëveshje të mëherëshme vazhdojnë të kërkojnë regjistrimin edhe të rreth 1 mijë studentëve të rinj. Kujdes të shtuar ndaj këtyre listave ka kërkuar edhe kryeministri në detyrë Hashim Thaçi. Dukembështetur vendimin e rektorit, Thaçi ka kërkuar verifikim të çdo kandidati.

Rreth 3 mijë studentë të kategorive të dala nga lufta, nga periudha 8 nëntor 2011 deri tani janë pjesë e UP­së. /RTK/