Ramadani pyet nëse “Molotovi” dhe djegia e veturave u ndal ngase Vetëvendosje mbeti e vetmuar

Aktuale April 22, 2016 - 13:11

Ka rreth një muaj që nuk kanë ndodhur raste të sulmeve djegieve të veturave dhe sulme të tjera me shishe molotovi. Si për koincidencë kaq kohë po bëhen edhe nga përçarja e bllokut opozitar i përbërë nga Levizja Vetëvendosje dhe AAK e Nisma.

Përgjegjëse për djegien në mënyrë të organizuar të veturave zyrtare dhe sulmet me “molotov” ndaj institucioneve është parë Lëvizja Vetëvendosje, por kjo e fundit vazhdimisht i ka mohuar këto pretendime publike të përfaqësuesve të caktuar të pozitës.

Në Vetëvendosje thonin se sulmet po kryhen në formë të paorganizuar nga ana e qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen në vend.

Por, Burim Ramadani, ish-deputet i AAK-së, dhe njohës i çështjeve të sigurisë, përmes një komenti në Facebook, e ngrit dilemën nëse është e rastësishme ndalja e këtyre sulmeve.

Duke mos përmendur me emër Vetëvendosjen, por duke aluduar në ta, Ramadani thotë se e vërteta e atyre sulmeve është se ideologët e tyre mbetën të vetmuar.

"Diçka për “Molotovin” dhe djegien e veturave, izolimin dhe dështimin!
Miq,

S’po mundet pa i bërë disa pyetje publike dhe disa konstatime:

A po ju duket se “Qytetarët e pakënaqur” kanë filluar ta heqin “pakënaqësinë”?! A ndryshoi ndonjë gjë apo u vetëdijësuan se akte të tilla nuk janë shqiptare në përmbajtje?

Apo, ndoshta e vërteta është vetëm se ideologët e këtyre veprimeve kanë mbetur të vetmuar, pasi nuk i dhezi plani për marrje të gjithçkaje, prandaj kanë kuptuar se përgjegjësia është më lehtë e identifikueshme?!
Po më duket se izolimi i ideologëve të konfliktit apo shfrytëzuesve të situatave po jep rezultatet e para në siguri publike.

Tashmë, fatmirësisht, po bëhen rreth një muaj prej kur kanë qenë rastet e fundit kriminale të “Molotovit” dhe djegies së veturave!

Sidoqoftë, edhe njëherë duhet konstatuar qartë se organet e rendit dhe drejtësisë kanë dështuar keq në zbardhjen e këtyre akteve kriminale.

Dështimi i organeve të rendit dhe drejtësisë për të gjetur Molotov-gjuajtësit dhe “piromanët” e veturave duhet të pasohet me dhënie të përgjegjësisë nga zyrtarët përgjegjës në ato institucione.

Thjesht, dikush duhet të largohet nga detyra, për shkak të dështimit!", ka shkruar Ramadani.