Pas armatosjes, Berisha bën thirrje për revolucion demokratik

Aktuale April 22, 2016 - 08:48

Pas deklaratës së fortë të lëshuar në orët e paradites gjatë punimeve në seancë plenare në Kuvend, ku ftonte qytetarët që “të armatosen për t’u mbrojtur nga qeveria”, pasdite Sali Berisha bëri thirrje “për revolucion paqësor”.

“Ftoj qytetarët në një revolucion demokratik dhe me mjete paqësore t’i hedhim sa më parë aty ku e meritojnë, në koshin e plehrave të historisë”, tha ai.

Ish-kryeministri ka një tjetër version nga ai i paraqitur nga kryeministri Edi Rama në seancë plenare, i cili tha se policia arrestoi Emiljano Shullazin dhe më pas kërkoi nxjerrjen e urdhër-arrestit nga ana e Prokurorisë, raporton Top Channel.

“Nuk mund të bintë Prokuroria në kurthet e Edi Ramës. Në fakt Rama ra në kurthin e Prokurorisë dhe shërbimeve të tjera”, u shpreh ai.

Berisha i ka kërkuar Prokurorisë që të sekuestrojë tabulatet telefonike të Emiljano Shullazit dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të provuar, sipas tij, lidhjen mes tyre.