Armë e flamur i ISIS-it u gjet te të arrestuarit në Deçan
Një flamur i zi me mbishkrime në gjuhën arabe që besohet të jetë simbol i organizatës terroriste – “Shtetit Islamik”, është gjetur nga Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e Kushtrim Kurtit nga Gjakova, që është njëri prej katër të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit.
Megjithatë, Arben Ymeri nga Zllatari i Prishtinës, Alban Kelmendi nga Ferizaj, Kushtrim Kurti dhe Kushtrim Rama nga Gjakova në këtë fazë po hetohen vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë bastisjeve në veturën e tyre u gjetën armë, sikurse armatim është gjetur edhe gjatë bastisjes së shtëpive.
Valbona Disha - Haxhosaj, prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka thënë për “Zërin” se meqë të dyshuarve iu është gjetur një sasi armatimi në momentin e arrestimit si dhe gjatë bastisjes, atëherë hetimet janë duke u bërë për armëmbajtje pa leje.
“Derisa të ekzaminohen provat tjera këta janë duke u dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje”, ka thënë prokurorja Disha - Haxhosaj, pa dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin e as pa dashur të komentojë deklaratat në lidhje me organizimin e një grupi terrorist që synonte të sulmojë Manastirin e Deçanit.
Megjithatë, të martën të katër të dyshuarve iu është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, me vendim të gjyqtares Violeta Husaj.
Prokuroria: Ata po hetohen vetëm për armëmbajtje pa leje
Por, burime të gazetës “Zëri” në Policinë e Kosovës, kanë rrëfyer detaje në lidhje me arrestimin e të dyshuarve dhe hetimeve në këtë rast.
“Momentin e arrestimit njëri nga të dyshuarit e arrestuar ka provuar ta thyejë telefonin”, ka thënë burimi brenda Policisë, në kushte anonimiteti. Sipas këtij burimi, Policia ka parandaluar këtë akt, duke konfiskuar atë telefon, për të përdorur si provë në rastin ndaj të dyshuarve. Pos telefonit, janë konfiskuar edhe vetura Golf 4, me të cilin udhëtonin të katër të arrestuarit.
“Të gjithë të arrestuarit ishin duke udhëtuar me një veturë të llojit Golf 4, me targën e parë të regjistrimit 05, çka nënkupton se vetura ishte e regjistruar në Ferizaj.
Gjatë arrestimit dhe kontrollit të bërë në veturën e të dyshuarve Policia ka gjetur një kallashnikov me 2 karikatorë, njëri i zbrazët dhe tjetri ishte me fishekë”, ka thënë burimi brenda Policisë.
Po ashtu, ka thënë burimi, detaje të reja do të dalin në shesh pas ekzaminimit të telefonatave dhe raportit balistik. “Këto do të vërtetojnë nëse ky grup ka pasur cak ndonjë institucion apo individ, apo vërtet kishin dalë në shëtitje”, rrëfen burimi.
Ndonëse prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj, nuk ka pranuar të flasë për detajet e rastit e as për rrjedhën e hetimeve, burimi në Polici ka thënë se Prokuroria në këtë fazë nuk ka ngritur dyshime në lidhje me organizimin terrorist, pasi që për këtë duhen prova.
“Prokuroria prandaj edhe ka kërkuar që të bëhen ekzaminime balistike të armëve si dhe ekzaminime të telefonave. Kjo do të qartësojë rrjedhën e këtij rasti...”, ka thënë burimi, sipas të cilit katër të dyshuarit janë deklaruar se kanë edhe lidhje familjare ndërmjet vete.
Bjeshkët që s’i kalon lehtë as xhipi, të dyshuarit i mësynë me veturë “Golf 4”
“Ata kanë thënë se ishin nisur në bjeshkë dhe për rrugën e kanë pyetur një patrullim të KFOR-it, derisa Policia ka dyshuar në ta dhe i ka ndaluar pikërisht përballë derës së Manastirit”, thonë burimet e besueshme të “Zërit”.
Dyshimet e para, sipas të njëjtit burim, ndërlidheshin me pamundësinë e udhëtimit në drejtim të bjeshkës me veturën e tipit “Golf 4” që ata kishin në dispozicion, pasi këtë nuk e mundësojnë kushtet e rrugës.
“Me ‘Golf 4’ mund të shkohet vetëm në një pjesë të rrugës”, ka thënë burimi i gazetës.
Megjithatë, raporti i balistikës do të tregojë nëse dy sulme të kryera më herët në Gorazhdec të Istogut dhe një tjetër në Klinë po ditën e arrestimit të këtyre katër të dyshuarve, janë kryer nga armët e gjetura gjatë kontrollit të veturës apo me ato të gjetura pastaj në shtëpitë e të dyshuarve.
“Nëse del që këto armë janë përdorur në këto sulme, atëherë dyshimet do të çojnë në drejtim të hetimeve për një grupim terrorist”, thotë burimi pa dashur të identifikohet.
Në anën tjetër, sipas të njëjtave burime, njëri nga të arrestuarit besohet se ka qenë pjesëmarrës në luftën e Sirisë dhe është kthyer në Kosovë. Kurse, një tjetër është kthyer nga Aeroporti i Prishtinës në përpjekje për të shkuar në Siri përmes Stambollit. “Por për këto nuk ka prova të sigurta”, kanë thënë burimet e gazetës.
Përveç një arme që është gjetur gjatë bastisjeve në katër lokacione, si dhe flamurit të ISIS-it, burimet e gazetës kanë treguar se janë gjetur edhe libra tjerë fetarë, përmbajtja e të cilave po shqyrtohet. “Po shikohet nëse ato libra përmbajnë përmbajtje propaganduese apo ishin libra me përmbajtje religjioze”, kanë thënë burimet e besueshme të gazetës.