Ditarët dhe dokumentacioni shkollor pritet të shpërndahen në fillim të javës

Ditarët dhe dokumentacioni shkollor pritet të shpërndahen në fillim të javës

Aktuale September 04, 2026 - 22:08

Furnizimi me ditarë është në fazën përmbyllëse, ndërsa shpërndarja në shkolla pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme. Operatori ekonomik ka deklaruar se është ende në pritje të kërkesave nga disa drejtori komunale. Ndërkohë, Ministria e Arsimit bën të ditur se, në tri vitet e ardhshme, shpenzimet për dokumentacionin shkollor do të jenë mbi gjysmë milioni euro më të ulëta.

Procesi i përgatitjes së dokumentacionit shkollor, përfshirë librin e klasës dhe ditarët, është aktualisht në fazën përfundimtare, ndërsa furnizimi pritet të nisë gjatë fundjavës.

Kështu ka bërë të ditur operatori ekonomik i përzgjedhur nga Ministria e Arsimit për këtë vit.

“Gjatë kësaj fundjave pritet të fillojë furnizimi i librarive lokale të autorizuara, të cilat më pas, në fillim të javës së ardhshme, do të bëjnë furnizimin e shkollave në komunat përkatëse. Vonesa ka të bëjë me kohën e përfundimit të procedurave dhe me procesin e hartimit, përgatitjes dhe prodhimit të dokumentacionit. Njëkohësisht, jemi ende në pritje të kërkesave nga disa Drejtori Komunale të Arsimit, të cilat nuk i kanë përcjellë ende sasitë e sakta të nevojshme për furnizim. Pranimi i këtyre të dhënave është i domosdoshëm për planifikimin dhe realizimin e furnizimit sipas komunave”, thuhet në përgjigjen e operatorit ekonomik.

Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit thonë se, në bashkëpunim me komunat, kanë përmbushur detyrimet procedurale për sigurimin e dokumentacionit shkollor, përfshirë edhe ditarët.

“Ne e kemi përmbyllur me sukses thirrjen për botimin e dokumentacionit shkollor në arsimin parauniversitar, ku përfshihet edhe libri i klasës. Operatori fitues është përzgjedhur Shtëpia Botuese PEMA. Kjo do të thotë se, në këtë vit shkollor, kemi një operator të ri me çmime ndjeshëm më të ulëta se deri më tani. Operatori i përzgjedhur na ka njoftuar se, për shkaqe operative, ka disa vonesa, por është zotuar se po angazhohet maksimalisht që shpërndarja e ditarëve dhe dokumentacioneve të tjera shkollore të bëhet shumë shpejt”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në tri vitet e ardhshme shpenzimet për dokumentacionin shkollor do të jenë mbi gjysmë milioni euro më të ulëta./rtk