Reagon Bajrami: Nuk e delegoj votën time, duhej të konsultoheshin me ne para se ta bënin emrin publik
Foto: Laura Hasani

Reagon Bajrami: Nuk e delegoj votën time, duhej të konsultoheshin me ne para se ta bënin emrin publik

Aktuale September 01, 2026 - 18:49

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nuk do ta delegojë votën e saj dhe ka kundërshtuar marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke theksuar se nuk pranon që vota e saj të përdoret për t’ia zgjatur pushtetin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një reagimi publik, Bajrami ka deklaruar se mbështetja që ka marrë nga qytetarët, përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit, nuk i është dhënë për të qenë “numër në Kuvend” dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit.

Ajo ka thënë se besimin e qytetarëve e ka marrë me bindjen se ka arritur të jetë zëri i tyre kundër qeverisjes së Kurtit, ndërsa ka theksuar edhe angazhimin e saj për interesin e vendit dhe mbrojtjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, është e papranueshme që në emër të zgjidhjes së krizës institucionale deputetët të bëhen pjesë e një marrëveshjeje që, në vlerësimin e saj, do t’i mundësonte Kurtit zgjatjen e pushtetit të koncentruar.

Bajrami ka theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por mbi të gjitha, sipas saj, vendi ka nevojë për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie.

“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ajo ka thënë se ky rrezik, sipas saj, është dëshmuar gjatë gjashtë viteve të fundit.

Deputetja e LDK-së ka sqaruar se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por ka kundërshtuar idenë që shmangia e tyre të përdoret si arsye për t’i shtyrë deputetët që të votojnë një marrëveshje të cilën ajo e konsideron si të prezantuar si “fakt i kryer”.

Në këtë kuadër, Bajrami ka ngritur edhe çështjen e konsultimit të deputetëve të LDK-së për emrat e diskutuar për postin e Presidentit.

Ajo ka deklaruar se emrat e propozuar, përfshirë Bekim Sejdiun, nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së dhe se konsultimi, nëse kërkohen votat e tyre, është dashur të zhvillohej para arritjes dhe publikimit të marrëveshjes.

“Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kundërshtuar gjithashtu çdo përpjekje për të negociuar votën e një deputeti dhe më pas për ta bërë atë përgjegjës në rast se vota nuk jepet.

Sipas saj, deputetët duhet të votojnë në përputhje me bindjet e tyre dhe interesin e vendit, ndërsa askush nuk mund të vendosë paraprakisht se si do të votojë një deputet.

“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka rikujtuar edhe situatën kushtetuese që lidhet me konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se zgjedhjet nuk mund të shmangen “me çdo kusht” vetëm përmes zgjedhjes së Presidentit.

Sipas saj, Kuvendi ka bërë shkelje kushtetuese për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje dhe është kaluar afati 30-ditor për konstituimin.

Në fund të reagimit, Hykmete Bajrami ka thënë se deri në ditën e fundit të angazhimit të saj politik do të përpiqet ta përfaqësojë besimin që i kanë dhënë qytetarët.

Ajo ka bërë të ditur se do të votojë sipas bindjes së saj dhe interesit të vendit, duke refuzuar që përgjegjësinë për votën e saj t’ia delegojë dikujt tjetër.

“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka përfunduar Bajrami, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Demokraci".