Sejdiu pranon kandidaturën për president: Jam vënë në shërbim të Republikës
Foto: Laura Hasani

Sejdiu pranon kandidaturën për president: Jam vënë në shërbim të Republikës

Aktuale August 31, 2026 - 13:35

Kandidati i përbashkët për president i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bekim Sejdiu, ka pranuar propozimin për të kandiduar për president, duke thënë se është vënë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, raporton Zeri.info.

Image

Sejdiu në një paraqitje para mediave pas takimit të fundit midis kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se, se ndonëse ambicia e tij ka qenë kryesisht e orientuar drejt fushave akademike dhe profesionale, ka vendosur ta pranojë propozimin duke pasur parasysh përgjegjësinë që bart posti i presidentit dhe rrethanat aktuale politike në vend.

Image

“Zëri” jua sjell deklarimin e plotë të Sejdiut:

Gjatë ditëve të fundit partitë politike, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë zhvilluar negociata intensive, me qëllim të gjetjes së një emri të kandidatit jopartiak për postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre negociatave dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri, emri im si kandidat presidencial. Gjithsesi kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimin që më kanë dhënë përfaqësuesit e të dy partive politike dhe kisha dashur rastin që publikisht t’i falënderoj, është besim i madh, nder i madh.

Image

Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë më shumë në fushat akademike dhe profesionale dhe sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm edhe me barrën dhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit edhe në kontestin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, domethënë të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit tonë që t’i shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më është dhënë rasti brenda kapaciteteve të mia.

Image

Tani, procesi i zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës është një proces që ka një aspekt politik dhe një procedurë kushtetuese në Kuvendin e Kosovës. Siç e tha kryetari Abdixhiku, këtë ditë kërkojmë mirëkuptimin e juaj, nuk jemi në situatë që të përgjigjemi në pyetje. Procesi politik zhvillohet nga subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa procedura kushtetuese në Parlamentin e Kosovës dihet, domethënë është e përcaktuar me Kushtetutë.

Image

Edhe një herë, siç e theksova, motivi im i parë dhe kryesor ka qenë që të vihem në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të shërbej siç kam bërë gjithmonë. Kisha dashur ta përmbyll duke falënderuar përfaqësuesit e dy partive politike dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë politik për besimin që më kanë dhënë.

Image

Shpresojmë dhe besojmë që Republika e Kosovës sikur shumë shpesh në të kaluarën, edhe kësaj radhe do të gjej rrugë për të ecur përpara për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin dhe për të realizuar aspiratat e qytetarëve të Kosovës për prosperitet të vendit tonë. /Zëri

Image

Image

Image

Image

Image

Image