Familjarët shpresojnë se gërmimet do të zbardhin fatin e Intelektualëve
Në Kalludër të Zubin Potokut, dyshohet se mund të fshihet një varrezë masive nga lufta. Për familjet e të zhdukurve, çdo gërmim sjell një mundësi më shumë që, pas më shumë se dy dekadash pritje, ta mësojnë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.
Njëri prej tyre është Erblin Ademi, i biri i kirurgut Agim Ademi, i zhdukur gjatë luftës.
Agim Ademi ishte pjesë e 23 personave të njohur si Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës, i përbërë nga mjekë, profesorë, veprimtarë dhe qytetarë të këtij rajoni. Ata u panë për herë të fundit në fshatin Dreth të Zubin Potokut, teksa po lëviznin në drejtim të Malit të Zi, raporton RTK.
Sot, pikërisht në këtë zonë, po zhvillohen gërmime, pasi dyshohet se eshtrat e tyre mund të jenë të varrosura këtu.
Në mesin e të zhdukurve është edhe Idriz Rrecaj, i njohur si "Njeriu i Madh i Drenicës", për fatin e të cilit ende nuk ka asnjë informacion.
Pjesë e këtij grupi janë edhe profesori Demir Ahmeti, doktori Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu dhe Xhemail Meziu.
Kolona, e njohur sot si Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës, u pa për herë të fundit në zonën e Drethit dhe Kalludrës, në komunën e Zubin Potokut.
Sipas dëshmive dhe të dhënave të mbledhura ndër vite, ata u ndaluan dhe u rrëmbyen nga forcat serbe. Që nga ajo ditë, asnjë prej tyre nuk është gjetur, ndërsa fati i tyre mbetet ende i pazbardhur.