Kushtetuesja gjen shkelje të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm në rastin e Mehmet Prishtinës
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja gjen shkelje të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm në rastin e Mehmet Prishtinës

Aktuale June 10, 2026 - 16:24

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI200/24, të parashtruar nga Mehmet Prishtina, përmes të cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore në lëndën penale PPKR. nr. 130/16, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Me vendim unanim, Gjykata Kushtetuese e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se është shkelur e drejta e parashtruesit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, ajo urdhëroi Gjykatën Themelore në Prishtinë që të veprojë me prioritet për përfundimin e procedurës penale dhe nxjerrjen e një vendimi meritor.

Rasti lidhet me një procedurë penale të nisur në vitin 2014 ndaj Mehmet Prishtinës dhe 22 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në krim të organizuar, përvetësim të kundërligjshëm të pronës shoqërore, pastrim parash, shmangie tatimore, falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale. Aktakuza ishte ngritur më 3 mars 2016, ndërsa deri në shqyrtimin e rastit nga Gjykata Kushtetuese, procedura ende nuk kishte përfunduar në shkallë të parë.

Përveç pretendimit për tejzgjatjen e procesit gjyqësor, parashtruesi kishte ngritur edhe pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese lidhur me parashkrimin e disa veprave penale dhe bllokimin e aseteve të tij. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese i cilësoi këto pretendime si të parakohshme, duke vlerësuar se procedura penale ende është në zhvillim dhe nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike.

Në arsyetimin e saj, Gjykata vlerësoi se procedura kishte zgjatur mbi dhjetë vjet e gjysmë – konkretisht 10 vjet, 6 muaj e 3 ditë – periudhë që konsiderohet e tepruar edhe duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes, numrin e madh të të pandehurve dhe volumin e provave materiale.

Sipas Gjykatës, megjithëse rasti ka një shkallë të konsiderueshme kompleksiteti, kjo nuk mund të justifikojë mungesën e një vendimi në shkallë të parë pas më shumë se një dekade. Për këtë arsye, ajo konstatoi se parashtruesit i është cenuar e drejta për një proces gjyqësor brenda afatit të arsyeshëm dhe kërkoi nga Gjykata Themelore që ta trajtojë çështjen me prioritet.

Ndërkohë, Gjykata refuzoi kërkesën e Mehmet Prishtinës për moszbulimin e identitetit, pasi ai nuk kishte ofruar ndonjë arsyetim për një masë të tillë.