Bulai: Të zgjedhurit të angazhohen në dialog konstruktiv

Bulai: Të zgjedhurit të angazhohen në dialog konstruktiv

Aktuale June 08, 2026 - 11:45

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Julian Bulai, u bëri thirrje përfaqësuesve të zgjedhur nga zgjedhjet e 7 qershorit që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të arrijnë kompromiset e nevojshme për funksionalizimin e institucioneve.

“Delegacioni u bën thirrje tani të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur që të angazhohen në dialog vërtet konstruktiv, të arrijnë kompromiset e nevojshme për të zgjedhur me shpejtësi presidentin dhe për të avancuar proceset demokratike të vendit”, deklaroi Bulai në konferencën për media.

Ai tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës dhe tani presin përgjegjësi nga të zgjedhurit e tyre.

“Votuesit e Kosovës kanë folur qartë. Ata tani presin që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të tregojnë udhëheqje vendimtare, të kërkojnë kompromise konstruktive dhe ta çojnë vendin përpara në rrugën e tij euroatlantike, duke i dhënë fund të gjitha lojërave cinike politike. Demokracia kërkon kompromis dhe ndërtim koalicionesh, jo fitore me logjikën ‘fituesi merr gjithçka’”, u shpreh ai.

Bulai theksoi se gjetjet e prezantuara janë paraprake dhe se misioni vëzhgues do të vazhdojë të ndjekë fazat e mbetura të procesit zgjedhor.

“Sot nuk është fundi i procesit. Ne do të vazhdojmë të ndjekim numërimin e votave preferenciale dhe atyre me kusht, certifikimin e rezultateve dhe zhvillimet paszgjedhore”, tha ai.

Sipas tij, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në forcimin e proceseve zgjedhore.

“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me ndihmën e zyrës sonë në Prishtinë, mbetet e gatshme të ndihmojë Kosovën në përmirësimin e mëtejshëm të kornizës zgjedhore dhe në forcimin e kapaciteteve të akterëve zgjedhorë”, deklaroi Bulai.