Kurti kongresistëve amerikanë: Kosova synon thellimin e partneritetit me SHBA dhe NATO
Foto: ZKM

Kurti kongresistëve amerikanë: Kosova synon thellimin e partneritetit me SHBA dhe NATO

Aktuale May 27, 2026 - 15:28

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, nga temat kryesore që u diskutuan kanë qenë mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon.

“Ai e falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.”, ka thënë Kurti.

Në njoftim thuhet se Kurti e ka bënë theksin edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme.

“Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit.”, thuhet tutje në njoftim.

Para Prishtinës, kongresistët zhvilluan vizitë në Luginën e Preshevës, me ç’rast sipas njoftimit, Kurti ka thënë se duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.