Autoshkollat ankohen për pagesa të dyfishta në Prishtinë

Autoshkollat ankohen për pagesa të dyfishta në Prishtinë

Aktuale May 23, 2026 - 22:05

Autoshkollat në Prishtinë po ankohen se po detyrohen të paguajnë dy herë për shfrytëzimin e poligonit të testimit praktik për kandidatët për patent shofer, ndonëse Ministria e Infrastrukturës thotë se ka marrëveshje me Stacionin e Autobusëve për përdorimin e hapësirës. Përfaqësuesit e autoshkollave e cilësojnë këtë si kosto shtesë të panevojshme, ndërsa nga Stacioni i Autobusëve thuhet se pagesa lidhet me kontrata për parkim dhe shërbime të veçanta, jo me të njëjtin shërbim të dyfishtë.Për poligonin e testimit praktik të kandidatëve për patent shofer, Ministria e Infrastrukturës paguan qira mujore ndaj Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, përmes kësaj marrëveshje të gjithë përfaqësuesit e autoshkollave obligohen që ta shfrytëzojnë këtë poligon, por ata ankohen se po obligohen të paguajnë edhe hyrjen.

Arian Sylejmani  i cili është njëri nga përfaqësuesit e autoshkollave thotë se  e njëjta qira po paguhet dy herë.

“Na e paguajmë dy herë një qira ku kandidati kur e paraqet pjesën praktike e paguan një shumë prej 10 euro, në bazë të stasistikave dhe në bazë të numrit të autoshkollave brenda muajit ne paguajmë 7 mije euro vetëm për stacionin e autobusëve ku autoshkollat vijnë në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës”, tha ai.

“Ne i kemi bo disa kërkesa dhe e fundit është ajo që e kemi realizuar  javën e fundit që të lirohemi nga kjo pagesë e cila është e panevojshme dhe një kosto shtesë e palogjikshme, përderisa paguan ministria qira për këtë poligon dhe neve na obligon të vijmë në këtë poligon për shkak të testimit të kandidatit atëherë për çfarë arsye na duhet të paguajmë prapë hyrjen në poligon, ku e kemi një kosto ku secila veture ka kosto 20 euro për një veturë, dhe për shfrytëzim të këtij poligoni ne na obligon ministria”, theksoi Lavdim Hamiti.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se ata kanë marrëveshje të lidhur për shfrytëzimin e hapësirës me Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Ndërkaq, sa i përket raportit kontraktual dhe obligimeve financiare ndërmjet autoshkollave dhe Stacionit të Autobusëve, zyra për media e Ministrisë së Infrastrukturës thotë se këto çështje janë të rregulluara drejtpërdrejt ndërmjet palëve përkatëse.

Ndërsa,  kryeshefi i Stacionit të Autobusëve thotë se në kontratën e Ministrisë së Infrastrukturës përfshihet shfrytëzimi i 1000 metrave katrorë të zyrave për qëllim të testimit me shkrim dhe poligoni për testim praktik.

“Me autoshkollat përmes kërkesës së tyre kemi lidh kontratë për shërbim të parkimit me ç’rast kush ka lidhë kontratë ka çmim më të lirë që është 20 euro në muaj apo 64 cent në ditë, ndërsa të tjerët që nuk  duan të bëjnë kontratë me ne, ata e paguajnë parkingun si çdo qytetar tjetër. Pra nuk bëhet fjalë që paguhet dy herë i njëjti shërbim”, tha Veton Prelvukaj, kryeshef i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Përfaqësuesit e autoshkollave janë ankuar edhe për kushte jo të mira brenda hapësirës së Stacionit të Autobusëve, ndërsa Prelvukaj thotë se sinjalizimi, tualeti publik, gjelbërimi dhe fasadimi i ndërtesës  do të  rinovohen përmes  planit të biznesit i cili është i aprovuar./rtk