Bogujevci: 1.5 milion euro për restaurimin e Xhamisë “Mulla Vesel Guta”

Bogujevci: 1.5 milion euro për restaurimin e Xhamisë “Mulla Vesel Guta”

Aktuale May 21, 2026 - 23:20

Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet restauruese në Xhaminë “Mulla Vesel Guta” në Ferizaj, një nga asetet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.

Në një postim në Facebook, Bogujevci ka njoftuar se së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Nexhmedin Bajrami, si dhe zyrtarë të tjerë, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në këtë objekt.

Ajo theksoi se restaurimi po realizohet me kujdes të veçantë, duke ruajtur vlerat autentike të xhamisë dhe duke synuar rikthimin e saj në funksion të plotë për komunitetin.

“Ky aset i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore po restaurohet me kujdes, duke ruajtur vlerat autentike dhe duke e rikthyer në funksion të komunitetit”, ka shkruar Bogujevci.

Bogujevci ka bërë të ditur se për restaurimin e Xhamisë “Mulla Vesel Guta” janë ndarë 1.5 milion euro, investim që sipas saj siguron ruajtjen dhe jetëgjatësinë e këtij monumenti me rëndësi të veçantë.