Rama për Osmanin: Është mëkat që nuk vazhdoi edhe një mandat si presidente
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mbështetje të plotë për Vjosa Osmanin dhe bashkimin e saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Rama duke folur për rikthimin politik i Osmanit pranë LDK-së, e ka vlerësuar lart punën e saj në krye të shtetit.
Ai shtoi se Osmani do të duhej të vazhdonte edhe për një mandat tjetër në postin e presidentes, duke thënë se nuk sheh ndonjë figurë tjetër politike që do ta kryente atë rol më mirë.
“Është një proces i natyrshëm. Vjosa Osmani si presidente e ka kryer një punë të mrekullueshme. Po them ka qenë edhe është parë nëpër punët e saj që i ka bërë si presidente në mandatin e saj. Është mëkat që ajo s’ka vazhduar me qenë presidente edhe në mandatin tjetër. Nuk njoh dikën në sferën politike sot që kishte mund me kry punën më mire se Vjosa Osmani si presidente. Dhe për këtë e ka përkrahjen time maksimale”, ka thënë Rama. /dukagjini