Osmani: Masakra e Izbicës, kujtesë që nuk zbehet

Osmani: Masakra e Izbicës, kujtesë që nuk zbehet

Aktuale March 28, 2026 - 10:56

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës, duke e cilësuar atë si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por edhe si një kujtesë të përhershme që nuk guxon të harrohet.

Në mesazhin e saj, Osmani theksoi se Izbica nuk përfaqëson vetëm dhimbjen dhe çmimin e lirisë, por është edhe një thirrje e vazhdueshme që drejtësia të mos vonojë, pavarësisht kalimit të viteve.

Ajo rikujtoi se 27 vjet më parë, 147 civilë të pafajshëm shqiptarë u vranë mizorisht nga forcat serbe, ndërsa në mesin e viktimave ishte edhe një foshnje gjashtëmuajshe, Dafina Qelaj.

“Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë”, theksoi presidentja, duke nënvizuar përmasën tragjike të krimit.

Osmani shtoi se këto krime, të cilat sipas saj janë kryer me qëllim të shfarosjes së popullit shqiptar, duhet të përballen me drejtësinë ndërkombëtare dhe vendore. Ajo theksoi se mungesa e ndëshkimit për autorët mbetet një plagë e hapur për familjet e viktimave dhe për gjithë shoqërinë.

Sipas saj, përkujtimi i të rënëve nuk është vetëm një akt nderimi, por edhe një obligim institucional dhe shoqëror, ndërsa drejtësia për ta mbetet një amanet që nuk mund të lihet në harresë.

Në përfundim, presidentja bëri thirrje që kujtimi për martirët dhe dëshmorët të mbetet i përjetshëm, duke theksuar se vetëm përmes ruajtjes së kujtesës dhe vendosjes së drejtësisë mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme dhe paqësore./Zëri