Kurti: UÇK-ja bëri luftë të kulluar çlirimtare - parada sot s’është demonstrim force, por dëshmi e pjekurisë së shtetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para se të fillonte parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovë tha se parada e sotme nuk është demonstrim force përballë dikujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit të Kosovës dhe aftësisë për të mbrojtur veten dhe për të kontribuuar në paqen rajonale dhe botërore.

Kurti po ashtu tha se nuk do t’i mbyllin sytë as para padrejtësisë që po bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, që theksoi se besojnë në drejtësi, por nuk do të lejojnë të rishkruajnë historinë.

“Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në Kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Evropës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vitesh. Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e pareshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e Republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike. Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë“, theksoi ai. /EO