Pa ujë që dy ditë në Fushë-Kosovë e Obiliq, KRU “Prishtina” bllokon komunikimin me konsumatorët
Banorët e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit po përballen prej dy ditësh me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa ankohen se nuk kanë ku të adresojnë shqetësimet e tyre.
Sipas qytetarëve, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bllokuar mundësinë e komentimit në postimet e publikuara në faqen zyrtare në Facebook, duke pamundësuar reagimet lidhur me situatën e krijuar. Për më tepër, ata thonë se edhe numri i shërbimit për konsumatorë është jashtë funksionit, duke e bërë të vështirë komunikimin me kompaninë.
Të kontaktuar nga “Zëri” për arsyet e këtij vendimi, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, nuk ka dhënë sqarime konkrete lidhur me mosfunksionimin e numrit për konsumatorë dhe bllokimin e komenteve në rrjetet sociale.
Si përgjigje, ajo ka ridërguar njoftimin e kompanisë për impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj, i cili, sipas KRU-së, po operon me kapacitete minimale për shkak të rrethanave teknike. Megjithatë, në njoftim nuk specifikohen qartë arsyet që kanë çuar në ndërprerjen dyditore të furnizimit me ujë.
Sipas komunikatës, rifurnizimi me ujë pritej të niste nga ora 17:00, në mënyrë graduale, fillimisht me presion më të ulët deri në stabilizimin e plotë të sistemit. Por, sipas banorëve të Fushë-Kosovës dhe Obiliqit, deri më tani furnizimi nuk është rikthyer.
“Nga ora 17:00 pritet të fillojë rifurnizimi gradual me ujë për konsumatorët në zonat e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Fillimisht furnizimi mund të jetë me presion më të ulët, derisa sistemi të stabilizohet plotësisht. Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe durim gjatë kësaj periudhe, si dhe rekomandojmë që uji të shfrytëzohet me kujdes deri në normalizimin e plotë të furnizimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kujtojmë se furnizimi me ujë të pijshëm në këto komuna muajt e fundit është shndërruar në një shqetësim serioz për banorët, të cilët shpesh janë përballur me reduktime të ashpra që zgjasin me ditë. /Zëri
