RTK-ja sqaron çështjen e gazetareve që nuk iu vazhduan kontratat e punës
Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka dalë me një sqarim lidhur me skadimin e kontratave të punës të gazetareve Edina Avdiu dhe Hana Marteti.
“Kontratat në fjalë kanë qenë me afat të caktuar dhe kanë përfunduar në përputhje të plotë me afatin e përcaktuar dhe me dispozitat ligjore në fuqi. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për shkëputje të kontratave të punës, por me mosvazhdimin e tyre pas skadimit të afatit të përcaktuar”, thuhet në njoftim nga Drejtoria e RTK-së.
RTK sqaron se ekziston dallim thelbësor juridik ndërmjet skadimit të kontratës sipas fuqisë ligjore dhe shkëputjes apo ndërprerjes së kontratës nga punëdhënësi.
“Ky dallim përbën koncept bazik të së drejtës së punës dhe i njohur në praktikën juridike dhe gjyqësore. Mosvazhdimi i këtyre kontratave është bërë në kuadër të procedurave të rregullta administrative dhe menaxheriale, mbi bazën e vlerësimeve të brendshme profesionale të dhomës së lajmeve, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje nga jashtë. Gjithashtu, RTK ka respektuar në plotëni dispozitat e kontratave të gazetareve, rregullativën e brendshme të RTK-së, si dhe dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-212 i Punës në Kosovë”, thuhet në njoftim nga Drejtoria e RTK-së.
Ndryshe, gazetarja Avdiu reagoi dje në rrjetin e saj social, duke akuzuar menaxhmentin se nuk ia vazhdoi kontratën, sepse siç thotë ajo nuk pranoi të bëhej ‘vegël e pushtetit’.
Edhe gazetarja Hana Marteti ka bërë me dije se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar sqarim dhe drejtësi, duke mbetur e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj gazetarisë së pavarur dhe etike.
Ndryshe AGK-ja gjatë ditës përmes një komunikate për media ka reaguar rreth çëshjtes së kontratave të dy gazetareve në RTK. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është thellësisht i shqetësuar për vendimin e menaxhmentit të Transmetuesit Publik, RTK për të mos vazhduar kontratat e punës për dy gazetare, Hana Marteti dhe Edina Avdiu”, thuhet në reagim.
Edhe Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) ka reaguar pas vendimit të menaxhmentit të RTK-së, siç thotë ajo për të mos vazhduar kontratat e punës së gazetareve Hana Marteti dhe Edina Avdiu.
"Mosvazhdimi i kontratës së punës, në rrethana kur punonjëset kanë përmbushur detyrat me profesionalizëm dhe me performancë të dëshmuar pozitive, ngre shqetësime serioze lidhur me mënyrën e vendimmarrjes brenda institucionit. Rasti rëndohet edhe më shumë nga fakti se njëra prej gazetareve, znj. Edina Avdiu, ndodhet në periudhë shtatzënie, çka kërkon ndjeshmëri të shtuar institucionale dhe respektim rigoroz të dispozitave ligjore në fuqi. Në një institucion publik si RTK, çdo vendim që prek marrëdhëniet e punës duhet të bazohet në kritere të qarta, objektive dhe të barabarta për të gjithë. Vazhdimi i kontratave për disa punonjës dhe mosvazhdimi për të tjerë, pa transparencë mbi kriteret e përdorura, krijon perceptim të trajtimit selektiv dhe dëmton besimin në proces", thuhet në reagim.