Prokurori Pache: Mbrojtja e Thaçit dështoi ta arsyetojë ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe delegacionit parlamentar

Prokurori Pache: Mbrojtja e Thaçit dështoi ta arsyetojë ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe delegacionit parlamentar

Aktuale February 16, 2026 - 16:47

Prokurori James Pache argumentoi se mbrojtja e Thaçit ka bërë përpjekje “të dështuara” për ta legjitimuar ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe një delegacioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.

“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit për ta bërë të ligjshme paraburgosjen e delegacionit parlamentar [të Lidhjes Demokratike] në Qirez më 1998, janë të dështuara po ashtu”, tha Pache.

“Gjatë argumenteve mbrojtja e Thaçit pretendoi se UÇK-ja ka pasur arsye ushtarake për të ndaluar dhe pyetur anëtarët e delegacionit në Qirez. Një dëshmitar kishte thënë se dikush kishte ardhur në Qirez për të kërkuar çarmatosjen e UÇK-së”.

Pacho shtoi se, edhe sikur të kishte kërkesa për çarmatosje, kjo nuk mund ta arrinte pragun e domosdoshëm për paraburgosje.

“Propozimi se grupet e armatosura mund ta ndalojnë çdo civil i cili kërkon opozitë paqësore dhe jo rezistencë të armatosur, është i rrezikshëm dhe kundërligjor dhe deklarata e një anëtari të delegacionit nuk mund ta arsyetojë arrestimin e tërë anëtarëve. Edhe po të kishte arsye legjitime për ndalim fillestar, juridikisht nuk ka pasur arsyetim për keqtrajtimin e të paraburgosurve”, shtoi ai.

Ai tha se anëtarët e delegacionit kanë dhënë dëshmi se janë rrahur dhe keqtrajtuar gjatë ndalimit nga UÇK-ja në Qirez. /rel