Marrëdhëniet ndërshtetërore në fokus të takimit Kurti–Rama
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takimin homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama, shkruan Zeri.info.
Zyra e Kryeministrit (ZKM), ka dhënë detaje rreth këtij takimi.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në këtë takim u diskutuan një mori temash, e ndër kryesoret ishin: marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive.
“Kryeministri Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit. Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare, njohjen e diplomave, pastaj bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim. /Zëri