Dhjetëra pensionistë kanë ndërruar jetë duke pritur vendimet gjyqësore për të drejtën në dy pensione
Foto: Laura Hasani

Dhjetëra pensionistë kanë ndërruar jetë duke pritur vendimet gjyqësore për të drejtën në dy pensione

Aktuale February 14, 2026 - 22:17

Fatin e zonjës Sadije Krasniqi, e cila e ka fituar rastin në gjykatë për komensiomin e pensionit të moshës, nuk e kanë pasur edhe disa të moshuar tjerë, të cilët gjatë pritjes se një vendimi Gjyqësor kanë ndërruar jetë.

Kështu, ka ndodhur edhe në një rast ku Gjykata u detyra të ndërpres procedurën, pasi paditësja kishte ndërruar jetë.

“Në rastin konkret pas kontaktimit prej familjarëve e kemi kuptuar që e kanë pranuar ftesën për seancë dhe njëkohësisht na ka njoftuar që fatkeqësisht paditësja, domethënë pala jonë ka vdekur. Kështu që lidhur me këtë rast kemi ardhur edhe me pru dëshminë e vdekjes”, ishte shprehur Arrita Rezniqi, në seancë gjyqësore.

Gjykata e gjendur në një rrethanë të tillë për shkak të për shkak të vdekjes së palës paditëse i cili fakt vërtetohet përmes certifikatës së vdekjes, u detyra ta ndërpres procedurën.

“Bazuar në nenin 277 të ligjit të procedurës kontestimore shkurtimisht LPK, bie këtë aktvendim: Ndërpritet procedura në këtë çështje të konfliktit administrativ sipas padisë, kundër të paditurës me MFPT e evidentuar me shenjën A.nr.7612/24 për shkak të vdekjes së paditëses. Pika dy, procedura e ndërprerë do të vazhdojë pas plotësimit të kushteve procedurale, e pasi që trashëgimtarët e paditëses të marrim përsipër procedurën, procedura do të vazhdojë sipas propozimit të palës së paditur apo edhe të trashëgimtarëve të paditëses”, u tha nga gjykatësi në këtë seancë.

Arrita Rezniqi, thotë se ligji është i qartë, njësoj edhe praktika gjyqësore në këtë fushë.

“Ajo që mbetet e pakuptueshme është qasja e Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve. Prandaj është legjitime të shtrohet pyetja pse qytetarët, veçanërisht personat e moshës së shtyrë, duhet të përballen me procese të gjata dhe të lodhshme për të realizuar një të drejtë që u garantohet me ligj. Kemi pasur raste konkrete ku, pas inicimit të padisë dhe gjatë pritjes së vendimit gjyqësor, pala ka ndërruar jetë. Deri më tani, bëhet fjalë për rreth dhjetë raste të kësaj natyre nga rastet që i kemi inicuar ne në kuadër të QNJ-IKD, ku procedura është ndërprerë në momentin e vdekjes së palës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ballafaqimi me situata të tilla është thellësisht i dhimbshëm, sidomos kur dispozitat ligjore janë të qarta dhe kur edhe gjykatat kanë konfirmuar të drejtën në fjalë.

“Në këto rrethana, pamundësia e realizimit të së drejtës për shkak të moszbatimit të ligjit nga vetë institucionet shtetërore është e papranueshme.Në secilin rast, pas vdekjes së palës, ne i këshillojmë familjarët që, pas përfundimit të procedurës së trashëgimisë, të vazhdojnë ndjekjen e çështjes. Megjithatë, mbetet fakt se e drejta po u mohohet atyre që u takon, sa herë që qytetarët nuk arrijnë ta gëzojnë pensionin përkatës gjatë jetës së tyre”, ka shtuar ajo.

Edhe gjykatësi në Gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Rexhep Gashi, ka thënë se kanë pasur raste të tilla kur palët kanë ndërruar jetë.

“Pa dyshim që kjo përbën sfidën e vetes sepse palët presin ta sigurojnë drejtësinë gjatë kohës sa a janë gjallë edhe në ato raste sipas ligjit gjyqtarët janë të obliguar që ta ndërprerjen procedurën gjyqësore dhe vendimi t’i dorëzohet familjarëve. Familjarët në qoftë se e vlerësojnë të udhës kanë mundësi që ta vazhdojnë procedurën gjyqësore sepse kërkesa e palëve në këtë rast ka të bëjë me kompensim edhe kompensimi hyn në kuadër të të drejtave që trashëgohen te trashëgimtarët edhe ka pasur raste që pastaj familjarët kanë propozuar vazhdimin e një procedurës gjyqësore dhe gjykata është ka qenë e obliguar që ta vazhdojë procedurën dhe të vendos me vendim meritor në këto raste”, ka thënë ai.

Pensionistët, janë kategori e ndjeshme e shoqërisë, andaj edhe gjykatësi Gashi thotë se rastet po i trajtojnë me prioritet. Për të përshpejtuar procedurat, Gjykata Themelore nisi t’i trajtojë rastet pa seanca gjyqësore, vetëm mbi bazën e shkresave dhe ligjit. Kjo praktikë u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit

“Ne jemi munduar që të bëjmë zgjidhje sa më të shpejt të këtyre rasteve për shkak se pensionistet siç dihet janë kategori e ndjeshme e shoqërisë, janë të moshuar edhe me planin strategjik të Këshillit Gjyqësor 2023-2025 për përmirësimin e qasjes në drejtësi, këto lëndë kanë qenë të natyrës me prioritet. Prandaj, jemi fokusuar edhe kemi filluar një iniciativë që këto t’i trajtojmë edhe t’i vendosim pa mbajt shqyrtime verbale”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, në këto raste kanë vlerësuar se nuk është e nevojshme mbajtja e seancave gjyqësore për ta ekonomizuar procedurën gjyqësore dhe që t’ju japim epilog këtyre rasteve në mënyrë më të shpejtë.

“Kemi filluar me disa raste, i kemi vendosur pa shqyrtime dhe kemi qenë në pritje të vendimeve të Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit pak është vonuar derisa ka vendosur lidhur me ankesat e avokaturës shtetërore kundrejt këtyre vendimeve dhe tek vitin e kaluar gjykata e Apelit e ka vërtetuar disa vendime të këtyre të këtyre vendimeve të gjykatës së shkallës së parë me të cilën me të cilat janë vendosur rastet pa shqyrtime verbale”, ka thënë ai. /BetimipërDrejtësi