Kritikohet mosvotimi i Rezolutës së Speciales nga LDK-ja
Foto: Laura Hasani

Kritikohet mosvotimi i Rezolutës së Speciales nga LDK-ja

Aktuale February 13, 2026 - 18:48

Me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi të enjten rezolutën për gjykimin e ish krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në votim nuk mori pjesë LDK-ja, të cilës nuk iu pranua kërkesa që rezolutës të përgatitur nga ekspertë të pavarur ndërkombëtar, t’i shtohet pjesa e kërkesës që të zbardhen të gjitha rastet e pas luftës.

Mospranimi i kësaj kërkese, sipas LDK-së, e bëri rezolutën jo e plotë.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës. Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh”, thuhet nga LDK-ja.

Megjithatë, mospjesëmarrja e LDK-së në votimin e kësaj rezolute nuk u mirëprit nga kategoritë e dala nga lufta.

“Veprimet e fundit që u bënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për neve janë të papranueshme, për arsye se ka pasur do të thotë mundësi që të gjejë forma të tjera, në një ditë tjetër, ta ngrisë si çështje edhe rezolutën për të cilën ata kërkojnë të bëhet fjalë”, tha Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.

Mirëpo, çfarë roli dhe ndikimi mund të ketë kjo rezolutë për proceset në Hagë?

“Rezoluta nuk duhet kuptuar si tentativë për të ndryshuar ose për të pasur impakt në vendimmarrje. Mirëpo, duke qenë se kanë shprehjen e vullnetit politik në rastin konkret të Kuvendit, atëherë besoj që përmes kësaj rezolute i është bërë me dije edhe faktorit ndërkombëtar, me theks të veçantë vendeve financuese të kësaj Gjykate, që atje po zhvillohet një proces i padrejtë, atje po tentohet të rishkruhet historia”, tha avokati Ardian Bajrakari.

Ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë votoi një deklaratë për pafajësinë e ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë./teve1