Dixon: Lista e “asgjësë” vazhdon për Veselin
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të enjten po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklaratat përmbyllëse sot i vazhdon mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.
Ai tha se lista e “asgjësë” për krimet e pretenduara ndaj Veselit vazhdon.
“Numri i urdhrave të lëshuara jashtë shtetit, raporte që kanë të bëjnë me çështje të inteligjencës, vendime të marra, emërime të bëra, përfshirë edhe veprime ushtarake të cilat nuk janë të paligjshme apo me diçka që ka të bëjë me krime të pretenduara të kësaj çështje apo ndonjë gjë tjetër të jetë e ndërlidhur. Asnjë! Lista e asgjësë vazhdon”, tha ai.
Ai tha se të gjitha këto nuk arrijnë të vërtetojnë se Veseli ka luajtur një rol kriminal dhe se argumentet e Prokurorisë janë shumë të vogla për shkak se janë rrethanore.
“Këto shifrat nuk arrijnë që të përbëjnë një konspiracion gjigant kriminal në të cilin të ketë luajtur rol Veseli. Janë këto argumentet rrethanore që janë shumë të vogla”, tha ai.
Dixoni tha se kritikat e tij ndaj ZPS-së nuk zvogëlojnë vuajtjet e viktimave në Kosovë, disa prej të cilave janë në qendër të aktakuzës së kësaj çështjeje.
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila pritet ta vazhdojë edhe sot më 12 shkurt.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi