Mishetiq: Thaçi s’i kontrollonte deklaratat publike të UÇK-së
Luka Mishetiq, avokati i cili përfaqëson Hashim Thaçin, tha se gjatë periudhës së luftës i mbrojturi i tij nuk i kontrollonte deklaratat publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Thaçi nuk kontrollonte deklaratat publike të UÇK-së”, tha ai, duke përmendur një dëshmi të një dëshmitari i cili kishte thënë se ndonëse Thaçi i kishte thënë të mos fliste me media, ai e kishte bërë një gjë të tillë.
“Kjo tregon se Thaçi nuk mund ta kontrollonte se çfarë bënin ushtarët e UÇK-së në terren”, tha tutje avokati.
Ai shtoi se s’ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve publike.
“Në veçanti ZPS nuk ka vërtetuar më tej përtej dyshimit të arsyeshëm se Hashim Thaçi ka pasur ndonjë përfshirje në përgatitjen e komunikatave, deklaratave publike. Asnjë dëshmitarë nuk ka dhënë dëshmi në lidhje me këtë. Asnjë prej librave të shumtë, dorëshkrimeve, shënimeve artikujve në gazeta apo dokumente të tjera nuk përmbajnë qoftë prova dytësore lidhur me faktin që Hashim Thaçi të ketë hartuar komunikatat ose deklaratat politike”, tha Luka Mishetiq gjatë deklaratës së tij përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.
Megjithatë, ai shtoi se janë vetëm dy prova që e implikojnë Thaçin në këtë çështje.
Përpara kësaj, Mishetiqi tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se Thaçi ka qenë drejtues i Drejtorisë Politike përpara nëntorit të 1998-ës.
“ZPS-ja nuk ka vërtetuar se përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi ka qenë drejtues i Drejtorisë Politike apo të informimit përpara nëntorit 1998 kur u bë edhe kreu i Drejtorisë Politike. Ka prova që Thaçi ka qenë i përfshirë në marrëdhënie me publikun dhe media përpara nëntorit të ’98-ës por Prokuroria nuk e jep asnjë provë të besueshme që ai ka qenë drejtuesi apo kreu i ndonjë drejtorie të caktuar në UÇK qoftë politike apo e informimit, dhe nuk ka asnjë provë që Thaçi të ketë kontrolluar apo të ketë mbikëqyrur se çfarë thonin apo publikonin të tjerët në UÇK”, tha Mishetiq.
Ndonëse Prokuroria e kishte quajtur Qeverinë e Përkohshme të Kosovës si mekanizëm për ta zgjeruar ndikimin në Kosovë. Mishetiqi argumentoi se ky institucion është krijuar gjatë bisedimeve dhe dakordimeve mes delegacionit shqiptar, ndërkohë sa Thaçi ishin në Rambuje. Ndërsa, në atë, ka qenë e paraparë edhe pjesëmarrja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, të cilët u tërhoqën nga pjesëmarrja. /BD