Konstituimi i Kuvendit nesër, Deharin e ndihmon deputetja turke në drejtimin e seancës
Seanca për konstituimin e Kuvendit, e cila është planifikuar të mbahet nesër në orën 17:00, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari i LVV-së, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi e KDTP-së, do të shërbejë si ndihmëse e tij.
Kryetari i mëparshëm i Kuvendit, Dimal Basha, ka thirrur sot një mbledhje përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare.
Ai ka njoftuar se, sipas praktikave dhe Rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, do të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.
Partia Demokratike e Kosovës do të ulet në anën e djathtë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në anën e majtë. Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe ata nga komunitetet serbe dhe joserbe, do të ulen në ulëset e tjera.
Basha ka prezantuar gjithashtu agjendën e seancës konstituive. Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, e më pas do të bëhet betimi i tyre.
Pas kësaj do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.
Në përfundim të mbledhjes, është vendosur që votimi i pesë nënkryetarëve të bëhet në një pako, sipas propozimit të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë.
Kryetari Basha ka kërkuar gjithashtu nga partitë politike që sa më shpejt të paraqesin grupet parlamentare, në mënyrë që të fillojë procedura për themelimin e trupave punues të Kuvendit.